Shënim: Ky është një rrëfim anonim i ndarë në Reddit, i përshtatur dhe ritreguar në shqip. Për të ruajtur privatësinë, disa detaje janë përgjithësuar, ndërsa rrëfimi është redaktuar për ta bërë më të rrjedhshëm.
Jam 27 vjeçe dhe nuk kam qenë kurrë në një lidhje serioze. Kur e them me zë, më duket sikur tingëllon shumë më dramatike nga ç’është në të vërtetë. Kam mbaruar shkollën, punoj, kujdesem për veten dhe mendoj se kam një jetë përgjithësisht të rregullt. Nuk jam ulur gjithë këto vite duke pritur që dikush të më trokasë në derë.
Kam njohur djem. Kam dalë, kam folur me njerëz, kam pasur simpati dhe raste kur kam menduar se një njohje mund të shkonte diku. Por në fund gjithmonë ndodh diçka.
Ose kuptoj se personi përballë meje nuk kërkon asgjë serioze, ose dalin disa gjëra që më bëjnë të them me vete se më mirë të largohem tani sesa të futem në një histori që e di si do të përfundojë.
Dhe kështu kanë kaluar vitet.
Ndoshta edhe mënyra ime e jetesës nuk më ndihmon shumë. Punoj nga shtëpia, kështu që nuk kam atë kontaktin e përditshëm me njerëz të rinj që mund ta kisha në një zyrë apo në një ambient tjetër pune. Rrethi i shoqërisë me kalimin e viteve gjithashtu bëhet më i vogël. Shoqet fillojnë lidhjet e tyre, disa martohen, disa kanë plane krejt të tjera dhe papritur kupton se nuk është më aq e lehtë të njohësh dikë spontanisht.
Provova edhe Tinderin.
Nuk zgjati shumë.
Për mua ishte katastrofë.
Ndoshta të tjerët kanë pasur eksperienca më të mira, por unë shumë shpejt krijova përshtypjen se shumica e njerëzve me të cilët flisja nuk po kërkonin atë që kërkoja unë. Kishte biseda që nisnin bukur dhe përfundonin krejt ndryshe, njerëz që dukeshin shumë të interesuar për dy ditë dhe më pas zhdukeshin, apo të tjerë që që në fillim e bënin të qartë se nuk kërkonin lidhje.
Në një moment thjesht e fshiva.
Problemi është se sa më shumë kalon koha, aq më shumë fillojnë pyetjet. Jo vetëm ato që ia bëj vetes, por edhe ato që t’i bëjnë të tjerët.
“A ke dikë?”
“Si ka mundësi që ende je vetëm?”
“Po ti, kur do të gjesh dikë?”
Ndonjëherë njerëzit i thonë këto pa ndonjë qëllim të keq. Por kur i dëgjon vazhdimisht, fillon edhe vetë të mendosh nëse ka diçka që nuk shkon.
E shikoj veten dhe nuk mendoj se problemi është pamja. Jam e gjatë, kujdesem për veten dhe njerëzit më kanë thënë shpesh se jam simpatike. Nuk mendoj as se jam person që nuk di të komunikojë.
Prandaj ndonjëherë pyes veten nëse kam pritshmëri shumë të larta.
A largohem shumë shpejt kur shoh diçka që nuk më pëlqen? A duhet t’u jap njerëzve më shumë kohë? Apo kam bërë mirë që nuk kam hyrë në një lidhje vetëm nga frika se mos mbetem vetëm?
Sepse kjo është pjesa tjetër e dilemës.
Unë mund të kisha qenë në një lidhje deri tani. Jam e bindur për këtë. Por të jesh në një lidhje dhe të jesh në një lidhje që të bën mirë janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Nuk dua dikë vetëm që të mund të them se “kam të dashur”. Nuk dua të kaloj muaj apo vite me një person për të cilin që në fillim e di se nuk përputhemi.
Në të njëjtën kohë, nuk dua as të zgjohem pas disa vitesh dhe të kuptoj se kam pritur gjithë jetën për një person perfekt që ndoshta nuk ekziston.
Kur e ndava këtë histori, kuptova se nuk isha e vetmja. Gra të tjera afër moshës sime treguan se janë në situata të ngjashme. Njëra tha se në moshën 28 vjeçe kishte vendosur se më mirë ishte vetëm sesa në një lidhje vetëm për hir të të qenit me dikë. Një tjetër tregoi se kishte kaluar shtatë vite pa lidhje, derisa në moshën 27 vjeçe njohu në punë burrin me të cilin më vonë u martua.
Dhe ndoshta kjo më qetësoi pak.
Sepse kur je vetëm për një kohë të gjatë, të duket sikur të gjithë të tjerët po ecin përpara dhe vetëm ti ke mbetur në të njëjtin vend. Në realitet, ndoshta secili thjesht ka ritmin e vet.
Unë ende dua të dashurohem. Dua një lidhje serioze dhe dua ta ndaj jetën me dikë.
Thjesht nuk dua ta bëj me personin e gabuar vetëm sepse kam mbushur 27 vjeç.
Por do të gënjeja nëse do të thosha se herë pas here nuk më kalon në mendje e njëjta pyetje:
A është vërtet kaq e vështirë të gjesh dikë sot, apo problemi jam unë?
/Prive By Liberta Spahiu.


