Nëse ka një veshje që po ndan opinionet e adhuruesve të modës këtë sezon, ato janë padyshim pantallonat “Capri”. Ky model që mbaron poshtë gjurit dhe zbulon kyçin e këmbës po përjeton një rikthim të fuqishëm. Pas më shumë se një dekade në hije, ato janë shndërruar në kryefjalën e pasarelave të markave të mëdha botërore dhe stilit të rrugës (street style).
Ndryshe nga versionet e viteve ’90 apo fillimit të viteve 2000 që ishin kryesisht sportive, dizajnerët sugjerojnë se sekreti i pantallonave “Capri” sot qëndron te prerjet elegante dhe minimaliste. Ato shihen si alternativa perfekte për ato momente kur dëshironi më shumë mbulim dhe seriozitet sesa pantallonat e shkurtra, por njëkohësisht doni diçka më të lehtë dhe të freskët se xhinset e gjata.

Sipas ekspertëve të modës, çelësi kryesor që ky trend të funksionojë dhe të mos duket i vjetruar qëndron te proporcioneve e trupit dhe zgjedhja e këpucëve. Për të zgjatur vizualisht këmbën, pantallonat Capri duhet të kombinohen me shapka ose sandale me takë të vogël e të hollë (kitten heels), balerina minimaliste ose këpucë me majë. Atletet masive apo këpucët e rënda duhen shmangur, pasi e “shkurtojnë” figurën.

Për sa i përket pjesës së sipërme, loja me volumet është mjaft rëndësishme. Nëse pantallonat janë të ngushta pas trupit (fiks siç shihet në modelin e përzgjedhur nga Hailey Bieber), sipër sugjerohet të vishet një xhaketë e gjerë (oversized blazer), një këmishë e lirshme ose një bluzë e thjeshtë pa mëngë për të krijuar një balancë të pastër e moderne.

Nga modelet klasike të zeza që ndjekin estetikën e “luksit të qetë”, te xhinset e shkurtra e deri te versionet verore në ngjyrë të bardhë, ky stil po dëshmon se është investimi më i zgjuar dhe më praktik i vitit për çdo mjedis urban. /Prive By Liberta Spahiu



