Vetëm pak muaj më parë, shqiptarët u bashkuan për t’i dhënë Rinesës një mundësi më shumë për të jetuar. Sot, pas ndarjes së saj të parakohshme nga jeta, kërkohet sërish ndihma e tyre, këtë herë për ta kthyer në vendlindje.
Rinesa Qeriqi, artistja 25-vjeçare e njohur si Rinesancë, u nda nga jeta më 23 tetor, pas një beteje të gjatë e të dhimbshme me tumorin në tru, duke lënë pas familjen, ëndrrat dhe muzikën që e deshi aq shumë.
Tani, Shoqata Shqiptare e Rajonit Waterloo në Kanada ka hapur një fushatë në platformën GoFundMe, për të mbledhur mjetet e nevojshme financiare që trupi i Rinesës të kthehet në Kosovë, aty ku familja dëshiron t’i japë lamtumirën e fundit.
Historia bëhet edhe më prekëse kur kujtohet se, gjatë betejës me sëmundjen, në një fushatë të mëhershme në GoFundMe, për Rinesën shkruhej:
“Andaj, ne ju drejtohemi me zemër të hapur dhe kërkojmë ndihmën tuaj.”
Atëherë, ndihma kërkohej për shërimin e saj. Sot, për fat të keq, për kthimin e saj në shtëpi.
Familja e Rinesës, e cila prej vitesh jeton në Kanada, po përballet me dhimbjen e humbjes së vajzës së saj, ndërsa komuniteti shqiptar është mobilizuar për t’ia lehtësuar sadopak barrën financiare në këto ditë të rënda.
Fushata synon mbledhjen e 20 mijë dollarëve kanadezë, të cilët do të shërbejnë për shpenzimet e riatdhesimit dhe mbështetjen e familjes.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të ndihmojnë, qoftë edhe me një shumë simbolike, donacionet mund të bëhen përmes lidhjes së mëposhtme. Edhe shpërndarja e fushatës mund të ndihmojë që kjo thirrje të arrijë te sa më shumë njerëz.
Rinesa nuk arriti të kthehej fitimtare nga beteja me sëmundjen, por të gjithë bashkë mund të ndihmojmë që ajo të kthehet për të pushuar në tokën e saj. /Prive By LS
Linku për donacione:
https://www.gofundme.com/f/nderojme-rinesa-qeriqi-in-loving-memory-of-rinesa-qeriqi


