Aktori i njohur turk Serhat Kılıç është gjetur pa shenja jete brenda shtëpisë së tij në lagjen Nurtepe të rrethit Kağıthane në Stamboll. Trupi i tij u gjet nga e dashura e tij, Özlem Esmergül, pasi ajo nuk kishte marrë asnjë lajm prej tij prej disa ditësh.
Sipas medias turke CNN Türk, Esmergül shkoi në banesën e aktorit pasi nuk po arrinte të kontaktonte me të. Pasi trokiti dhe nuk mori asnjë përgjigje, ajo hyri brenda dhe e gjeti 51-vjeçarin të ulur në një kolltuk në sallon, pa frymëmarrje dhe me trup të ftohtë.
Menjëherë pas kësaj, ajo kërkoi ndihmë nga Qendra e Thirrjeve të Urgjencës.
Autoritetet turke kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, e dashura e tij deklaroi se Kılıç vuante nga limfoma — një lloj kanceri që prek qelizat e bardha të gjakut dhe sistemin imunitar. Megjithatë, prokurori publik ka urdhëruar dërgimin e trupit në Institutin e Mjekësisë Ligjore për t’iu nënshtruar autopsisë përfundimtare.
Kush ishte Serhat Kılıç?
I lindur më 8 korrik 1975 me origjinë nga Malatya, Kılıç ishte një nga emrat e njohur të ekranit turk.
Arsimimi: Në vitin 1994 fitoi bursë në Universitetin Bilkent, Fakulteti i Muzikës dhe Arteve Skenike (Departamenti i Teatrit), ku u diplomua me rezultate të larta në vitin 1998.
Rolet më të njohura: Serhat Kılıç ka luajtur në disa nga serialet më të ndjekura në Turqi, mes të cilave:
Seksenler (2012–2022)
Söz (nga viti 2017)
Maraşlı (2021)
Öğretmen (2020)
Dirty Laundry / Kirli Sepeti (nga viti 2023)
Mehmed: Fetihler Sultanı (nga viti 2024)
Robinson Crusoe ve Cuma (2015)
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur thellësisht artdashësit dhe komunitetin e aktorëve në Turqi. /Prive By Liberta Spahiu