Një valë reagimesh po pushton Tiranën, teksa nga dita në ditë numri i qytetarëve në shesh po njeh rritje. Kauza mbetet mbrojtja e Nartës nga projekti i shumëpërfolur i Zvërnecit, një investim miliardësh pas të cilit raportohet se qëndron familja Trump.
Në këtë klimë të nxehtë, disa nga personazhet më me ndikim kanë vendosur të mos heshtin. E kush janë emrat që po përdorin platformat e tyre për sensibilizim qytetar? Prive Bruto ka përmbledhur më të spikaturit.
E nisim me influenceren Gerta Shino. Përkundër distancës nga Norvegjia, ajo ka qenë aktive që nga dita e parë. Rrjetet e saj sociale u kthyen në një mjet të fuqishëm denoncimi, duke nisur direkt me identifikimin e punonjësve të sigurimit që ushtruan forcë disproporcionale në Zvërnec, e deri tek koordinimi i detajeve të marshimeve.
Nga bota e medias, gazetarja Dalina Buzi ngre vazhdimisht hipoteza mbi dritëhijet e kësaj marrëveshjeje. I zëshëm po tregohet edhe gazetari Blendi Salaj, i cili e cilëson lëvizjen si thelbësore për të ardhmen e fëmijëve, pa harruar edhe aktivisten e njohur, Zhaklin Lekatari.
Ndërkohë, një nga yjet e rinj të kësaj lëvizjeje është influencerja dhe ish-banorja e Big Brother VIP, Rizarta Hoxha. Ajo përmes rrjeteve sociale të saj po u bën thirrje të rinjve të gjeneratës Z çdo ditë që të mos mbeten indiferentë por t’i bashkohen tubimeve. Zëri i ekranit ka ushtuar edhe fizikisht në shesh, ku gazetarja Fatma Haxhialiu ka marrë fjalën dje, duke mbajtur fjalim përballë masës.
Të njëjtën gjë e kanë bërë dhe moderatorët Fjoralba Ponari e Isli Islami.
Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama mbrëmë në CNN e mbrojti me forcë projektin. Ai e cilësoi si një investim historik dhe eko-miqësor për turizmin elitar, duke hedhur poshtë akuzat për favore politike dhe duke ia faturuar goditjet konkurrencës së ashpër në Mesdhe.
Qytetarët, megjithatë, nuk tërhiqen. Marshimi i radhës nis sot në orën 18:00 nga sheshi Skënderbej drejt Parlamentit. /Prive Bruto
@prive.libertaspahiu Nga emrat e dëshmuar tek yjet e GEN Z: Të famshmit shqiptarë më të zëshëm për protestën, tubimi i radhës sonte nga ora 18:00 #privebruto #zvernec ♬ original sound – Prive by Liberta Spahiu


