Turqia po përballet me detaje gjithnjë e më të tmerrshme nga masakra në shkollën “Ayser Çalık” në Kahramanmaraş, ku mbetën të vrarë 9 persona, mes tyre mësuesja Ayla Kara dhe 8 nxënës.

Ndërsa hetimet për autorin 14-vjeçar, İsa Aras Mersinli, zbulojnë një profil të frikshëm të radikalizmit online, dëshmitë e të mbijetuarve po thyejnë zemrat e mbarë opinionit publik.
Fatma İkra Çam, një nxënëse e klasës së 5-të që i mbijetoi sulmit, ka treguar tmerrin që përjetoi kur vrasësi hyri në klasën e tyre.

Ajo rrëfeu se u shpëtua falë shoqes së saj, Sedanur Bahşi, e cila u bë mburojë për të nën bankë.
“Ai hyri në klasë dhe tha në anglisht: ‘Nuk keni shpëtim’. Ishte e tmerrshme, po qëllonte mbi ne,” tregoi Fatma, e cila u plagos në këmbë pasi u hodh nga dritarja për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave.
Ajo tregon se pa dy persona të tjerë duke u hedhur dhe vendosi të ndiqte shembullin e tyre, ndërsa klasa tjetër po sulmohej në të njëjtën kohë. Sot, e traumatizuar, ajo thotë se nuk mundet as të kthehet në shtëpi nga frika, e lëre më në shkollë.
Lajmi për vdekjen e shoqes së saj të ngushtë, Belinay Nur Boyraz, dhe shokut të klasës, Kerem Erdem Güngör, e ka rënduar edhe më shumë gjendjen e saj.
“Unë dhe Belinay bënim byzylykë miqësie për njëra-tjetrën. Ishte vajza më e bukur,” kujton Fatma mes lotësh.
Ajo foli edhe për mësuesen e saj të matematikës, Ayla Kara, e cila ishte e dashur nga të gjithë dhe që u flijua duke mbrojtur nxënësit.
Djemtë e mësueses, Furkan dhe Ertuğrul Kara, konfirmuan heroizmin e nënës së tyre, duke treguar se ajo u bë mburojë njerëzore dhe arriti të shpëtonte të paktën një jetë para se të binte dëshmore në krye të detyrës.
Nga ana tjetër, profilet sociale të autorit İsa Aras Mersinli shfaqin një realitet drithërues.
Përveç paralajmërimeve në Discord se “do të sulmonte shkollën”, kanë dalë pamje ku ai pozohet me fund para pasqyrës dhe me armën e babait të tij, Uğur Mersinli.
Sipas dëshmive të miqve të tij virtualë nga Argjentina, ai ishte pjesë e grupeve të errëta online që kultivonin dhunën dhe urrejtjen.
Kjo ngjarje ka ngritur dyshime të forta mbi ndikimin e platformave si Discord dhe lojërave me përmbajtje ekstremiste, ndërsa autoritetet turke po punojnë për të zbardhur nëse Mersinli është shtyrë nga dikush tjetër për të kryer këtë masakër që la pas 13 të plagosur dhe një dhimbje të pashërueshme për familjet e viktimave.



