Ebru Şallı ka folur hapur për jetën private, vetminë dhe dhimbjen e madhe pas humbjes së djalit të saj, Pars Tan.
E ftuar në emisionin “Empathy”, të prezantuar nga Ahmet Mümtaz Taylan, modelja dhe prezantuesja turke u përlot teksa kujtonte të birin, i cili ndërroi jetë në moshën 9-vjeçare, pas betejës me limfomën.
Gjatë intervistës, Şallı zbuloi se prej tre vitesh jeton vetëm dhe se është përshtatur me këtë mënyrë jetese.
Ajo pranoi se përvojat e së kaluarës ia kanë ndryshuar mendimin për martesën dhe se nuk planifikon të martohet sërish.
“Besimi im te martesa është tronditur. Kam pasur një martesë të bukur dhe të gjatë, por më pas vendosëm të ndaheshim. Edhe sot jemi miq shumë të mirë. Kemi fëmijë. Por, nëse më pyesni nëse do të martohesha përsëri, për momentin kjo nuk është për mua. Nuk do ta preferoja më martesën”, u shpreh ajo, duke shtuar se e shijon vetminë dhe ndihet mirë me jetën që ka zgjedhur.
Şallı foli edhe për bukurinë, duke përcjellë një mesazh për vajzat e reja.
“Askush nuk duhet të mbështetet vetëm te bukuria. Unë nuk jam mbështetur kurrë vetëm te pamja ime. Gjithmonë jam përpjekur t’i shtoj diçka vetes dhe kam punuar fort”, deklaroi ajo, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit personal dhe përkushtimit.
Momenti më prekës i intervistës ishte ai kur foli për djalin e saj, Pars. Duke kujtuar betejën e tij me sëmundjen, Ebru Şallı tha se e ngushëllon mendimi që i biri nuk vuajti më gjatë.
Ajo nuk arriti t’i mbante lotët teksa ndante dhimbjen e humbjes.
“Zoti mos ia dhëntë askujt ta përjetojë këtë. Mos e provoftë askënd me fëmijën e tij. Unë nuk u dorëzova kurrë. Zoti e pa të arsyeshme kështu dhe ma mori Parsin. Jam mirënjohëse për këtë”, u shpreh ajo.
Me këtë rrëfim, Şallı tregoi anën e saj më të ndjeshme, duke folur me sinqeritet për humbjen e të birit dhe për mënyrën se si ka mësuar të vazhdojë jetën pavarësisht dhimbjes. /Prive By LS





