Në një epokë ku rrjetet sociale diktojnë destinacionin e radhës, një emër i ri po dominon bisedat urbane të kryeqytetit. “Jardin” nuk është thjesht një restorant; është një studim estetik mbi kënaqësinë e të ngrënit.
Nëse keni kaluar qoftë edhe pak kohë në “feed-in” tuaj këto javë, është e pamundur t’ju ketë shpëtuar estetika e rafinuar e vendit që po ridimensionon pritshmëritë e klientelës në Kosovë. I pozicionuar në zemër të pulsit të qytetit, ky oaz i ri mishëron konceptin francez të kopshtit (jardin), të ndërthurur me finesën moderne skandinave.
Tashmë, dyert janë hapur për estetët që kërkojnë më shumë se thjesht ushqim: qoftë për një drekë pune me stil, apo një darkë intime ku kujtimet gdhenden nën shijen e përsosshmërisë.
Arkitekti i shijes: Një rikthim në origjinë
Pas çdo hapësire që ka shpirt, qëndron një vizionar. Për “Jardin”, ky është Zeqir Haziri. Udhëtimi i tij nis nga majat e suksesit në Danimarkë për të zbritur në Prishtinë.

Haziri nuk është një emër i panjohur për skenën ndërkombëtare. Pasi pushtoi Kopenhagën me fenomenin e brumërave “BUKA Cph”, solli notat ekzotike të Azisë me “District Tonkin” dhe rrëmbeu çmimin prestigjioz “Burgeri më i mirë në qytet” me markën “Dandelion Burger”, ai vendosi të sjellë magjinë në shtëpi.
Përkundër suksesit në tregun rigoroz danez, thirrja e brendshme ishte e pashmangshme: dëshira për t’i sjellë Kosovës atë copëz elegance që i mungonte, duke vendosur një standard të ri në gastronominë vendore.

Kurimi i menusë: Less is More
Filozofia e kuzhinës në “Jardin” është e prerë dhe ndjek një rregull të artë: cilësi mbi sasi. Menuja “à la carte” është një koleksion i kondensuar, ku çdo pjatë është aty sepse e meriton, jo thjesht për të mbushur numrin.
Nga starter-at delikatë që ngacmojnë shqisat, e deri te pjatat kryesore të ekzekutuara me precizion kirurgjikal, gjithçka është një simfoni shijesh. Dhe po, kompromisi nuk ekziston as kur vjen puna te “comfort food”.
Burgeri i famshëm “Dandelion Burger”, fitues i çmimeve ndërkombëtare, tashmë shërbehet me të njëjtën mjeshtëri në Prishtinë, duke sjellë shijen identike të rrugëve të Kopenhagës.
Për ta shoqëruar këtë eksperiencë, seksioni i verërave bën diferencën absolute. Me një listë selektive etiketash të papara më herët në tregun tonë, çdo gotë është një udhëtim më vete.
Metamorfoza e ambientit
Magjia e vërtetë e “Jardin” qëndron te aftësia e tij prej kameleoni. Gjatë ditës, terasa e bollshme dhe drita natyrale ofrojnë freski dhe gjallëri. Por, sapo dielli perëndon, ambienti pëson një metamorfozë elegante.
Ndriçimi ulet, ritmi i muzikës ndryshon dhe restoranti vesh kostumin e mbrëmjes, duke u shndërruar në një ambient mondan dhe joshës. Detaji që bie në sy? “Social Table” – tryeza e përbashkët, një koncept ideal për të festuar momentet speciale dhe për të nxitur ndërveprimin social, aq i munguar në epokën dixhitale.
Me një start premtues, “Jardin” është ftesa e hapur për ata që refuzojnë kompromisin. Nga Kopenhaga në Prishtinë, kjo është adresa e re e luksit të qetë. Një eksperiencë që duhet jetuar, për t’u kuptuar plotësisht. /Prive By Liberta Spahiu


