Një lajm i bujshëm ka pushtuar ditën e sotme të gjitha mediat turke, duke tronditur botën e televizionit dhe muzikës. Në orët e para të mëngjesit, autoritetet kanë ndërmarrë një operacion të gjerë policor, duke ndaluar disa nga emrat më të famshëm të ekranit dhe estradës atje. Ky aksion i papritur ka tërhequr menjëherë vëmendjen e opinionit publik, duke u kthyer në kryefjalën e ditës.
Sipas informacioneve të bëra publike, ky operacion ka ardhur në kuadër të një hetimi të thelluar nga autoritetet. Bëhet e ditur se personazhet e njohur janë ndaluar për shkak të dyshimeve dhe akuzave të ngritura ndaj tyre lidhur me përdorimin e lëndëve të ndaluara. Policia ka vepruar në orët e para të ditës për të shoqëruar të dyshuarit, duke nisur kështu procedurat zyrtare.
Në listën e personave të ndaluar janë plot nëntë emra shumë të njohur të showbiz-it turk. Mes tyre bie në sy aktori İbrahim Çelikkol, i cili është jashtëzakonisht i dashur edhe për publikun shqiptar përmes roleve të tij kryesore në disa nga serialet më të ndjekura.

Krahas tij, të përfshirë në këtë listë janë edhe yje të tjerë shumë të njohur të muzikës turke si Simge Sağın, Melek Mosso, Mustafa Ceceli, Bengü, Ersay Üner, Deha Bilimler, Z. Aslı Sipahi Hacısüleymanoğludhe İlkay Şencan.
Sa i përket procedurave në vijim, burimet bëjnë me dije se të gjithë personat e ndaluar do të dërgohen pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore. Atje ata do t’i nënshtrohen një testi specifik të fijeve të flokut, i cili do të shërbejë për të vërtetuar shkencërisht nëse kanë konsumuar apo jo substancat për të cilat akuzohen. Vetëm pas përfundimit të këtyre ekzaminimeve mjekësore, personazhet e famshëm do të merren në pyetje për të dhënë dëshmitë e tyre zyrtare para oficerëve.
/Prive By Liberta Spahiu


