Një skandal i përmasave të rënda ka tronditur opinionin publik, ku protagonist është bërë Nazmi Pnishi, drejtori i shkollës fillore “Pjetër Bogdani” në fshatin Demjan të Gjakovës.
36-vjeçari, i cili është i martuar dhe baba i dy fëmijëve, është kapur mat nga emisioni investigativ “Piranjat” duke përndjekur dhe duke i kërkuar vazhdimisht raporte intime një vajze të mitur, vetëm 17 vjeçe. Ai dyshohet se i ka dërguar adoleshentes mesazhe me përmbajtje të pastër erotike, duke shfrytëzuar autoritetin e tij. Kur gazetarja Edona Gashi e ka ballafaquar në rrugë duke e pyetur se përse ngacmon vajzat e reja, drejtori ka zgjedhur turpin në vend të llogaridhënies, duke ia futur vrapit për t’iu shmangur kamerave.
Ky investigim ka ndezur reagime të ashpra, duke sjellë edhe lëvizjen e menjëhershme të autoriteteve lokale. Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar ashpër përmes një statusi në rrjetet sociale, duke njoftuar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Pnishit sipas procedurave ligjore.
Gjini e ka dënuar me forcë aktin, duke e cilësuar si të papranueshëm dhe thellësisht të rëndë, ndërsa ka siguruar prindërit se siguria e fëmijëve mbetet një vijë e kuqe mbi të cilën nuk do të ketë kurrë asnjë kompromis.
Pasi në emision u përfol se i dyshuari kishte mbështetje politike dhe u shfaqën fotografi të tij me kryetarin, Gjini ka sqaruar se Nazmi Pnishi nuk është pjesë e strukturave të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që nga viti 2021. Ai shtoi se ka kërkuar konfirmim zyrtar nga dega e partisë në Gjakovë për të vërtetuar se individi nuk ka asnjë angazhim me ta, duke prerë çdo tentativë për keqpërdorim të logos së komunës apo partive politike. Ndërkohë, zyrtarët komunalë kanë premtuar bashkëpunim të plotë me prokurorinë që ky rast të marrë dënimin maksimal ligjor. /Prive Bruto


