Aktori i njohur i Hollywood-it, Johnny Depp, ka rënë pre e një skeme të madhe mashtrimi financiar. Mediat ndërkombëtare raportojnë se të dhënat e kartës së tij të kreditit (American Express) u vodhën dhe u përdorën në mënyrë të fshehtë për gati dy vite rresht, duke i shkaktuar aktorit një dëm prej mbi £520,000 (rreth 600,000 euro).
Operacioni policor ka ndodhur në Budapest të Hungarisë, ku forcat e armatosura të elitës mësyen një apartament të marrë me qira në Distriktin 13 të qytetit. Në pranga ka rënë një 27-vjeçar me shtetësi jordaneze. Alarmi fillestar u ngrit nga një bankë amerikane, e cila vuri re tërheqje të dyshimta dhe njoftoi degën e FBI-së në Hungari, e cila më pas lokalizoi vendndodhjen e hacker-it përmes adresave IP.
Nga hetimet rezulton se i riu kishte siguruar të dhënat e kartës së Depp nga blerjet online ose rezervimet e hoteleve. Mes janarit të vitit 2024 dhe dhjetorit të vitit 2025, ai kishte kryer plot 308 transaksione të ndryshme për blerje luksi dhe udhëtime. Gjithçka kaloi pa u vënë re nga aktori për një kohë të gjatë, pasi pasuria e tij qindra-milionëshe bëri që transaksionet më të vogla dhe të vazhdueshme të mos ngrejnë dyshime të menjëhershme.
Për ironi të fatit, Johnny Depp ka kaluar mjaft kohë në Budapest gjatë asaj periudhe duke xhiruar filmin e tij “Modì”, dhe autoritetet po hetojnë nëse të dhënat e kartës rrodhën pikërisht gjatë qëndrimit të tij fizikisht në kryeqytetin hungarez.
I dyshuari aktualisht ndodhet në paraburgim dhe, përveç akuzës për mashtrim të rëndë kompjuterik që rrezikon dënim me vite burg, po hetohet edhe për posedim lëndësh narkotike, pasi gjatë bastisjes në banesë iu gjetën edhe substanca të dyshimta. /Prive By Liberta Spahiu



