Stresi ka qenë i ftuar sot në emisionin “Shqipëria Live” me moderatoren Sidorela Gjoni. Gjatë kësaj interviste, ai ka folur gjerë e gjatë për angazhimin e tij më të ri politik si anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke zbuluar detaje mjaft interesante nga jeta profesionale, politike dhe ajo private.
Stresi tregoi se aktualisht është i ndarë mes muzikës dhe postit të ri, duke pranuar se po kalon një periudhë shumë të ngarkuar.
Ai sqaroi se iniciativën për t’u bërë pjesë e strukturave të PD-së e ka marrë vetë dhe se puna me elektoratin ka nisur që në ditën e parë të përzgjedhjes së tij, me synimin kryesor: anëtarësimin e sa më shumë të rinjve në këtë forcë politike.
“Vij me strategji, jam strateg. Familja ime janë të anëtarësuar me PD që nga viti 1991, unë kam nisur që në klasë të katërt. Te kjo foto ku unë jam krah Berishës… Unë jam spartani i PD dhe nuk i kam shitur asnjëherë idealet e mia,” u shpreh ai, duke zbuluar se mbështetjen kryesore për këtë hap e pati nga Belind Këlliçi dhe Klevis Balliu.
Reperi shkon çdo ditë në seli dhe premton se do të jetë zëri i rinisë, ndërsa shtoi se po pret me padurim një takim me Sali Berishën dhe se babai i tij është njeriu më krenar për të.
I pyetur për marrëdhënien me Noizyn dhe ndasitë politike, Stresi tregoi se bëjnë shumë shaka dhe nuk kanë asnjë problem.
Ai zbuloi edhe një bast prej 100 eurosh për zgjedhjet: “Fitoi ai dhe kur ia dhashë, i thashë të m’i kthejë sepse zgjedhjet janë vjedhur.”
Lidhur me ambiciet e tij, ai paralajmëroi:
“Nëse do të bëhesha deputet, nuk do të më përballonin. Unë di shumë gjëra, edhe që nuk dihen. Kam miq socialistë, por në fund nuk bëjmë kompromis.”
Sa i përket investimeve në Zvërnec, ai u shpreh pro kompanive të mëdha por me transparencë, duke vlerësuar protestën e qytetarëve, ku sipas tij tashmë po marrin pjesë edhe punonjës të administratës dhe votues të PS-së të pakënaqur me qeverinë.
Ndërkohë, deklarata më e ashpër e tij ishte ajo kundër komunitetit LGBT: “Artistikisht, komuniteti LG, si quhet, është organizatë terroriste, sepse shuan familjen.
Ata më përndjekin, por ky është mendimi im. Unë mbroj vlerat e familjes, traditës shqiptare.”
Në fund, Stresi i uroi suksese Clevios duke u shprehur se është rritur me të, por nuk di asgjë rreth marrëdhënieve apo jetës së tij. Sa i përket jetës private, reperi pranoi se është single, por tashmë e ka vendosur kriterin: “Nusen e ardhme e dua politikane, serioze.”
/Prive By Liberta Spahiu


