Ndërsa Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë dominuar skenën e futbollit botëror për dy dekada duke rivalizuar fort për “Topin e Artë”, partneret e tyre po dëshmojnë një realitet krejtësisht ndryshe. Georgina Rodriguez dhe Antonela Roccuzzo duket se shkojnë mjaft mirë me njëra-tjetrën dhe këtë e kanë vërtetuar së fundmi përmes një shkëmbimi miqësor në rrjetet sociale që ka befasuar fansat.
Antonela ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një foto të një dhurate të veçantë: një komplet të plotë me pajisje joga nga marka e veshjeve sportive “Mimoa”, e cila menaxhohet nga Georgina. Bashkëshortja e Messit nuk ka ngurruar ta falënderojë publikisht partneren e Ronaldos, duke shkruar:
“Faleminderit shumë Georgina. Çdo gjë është e bukur. Të uroj gjithë suksesin e botës.”
Ky gjest miqësor ka sjellë reagime të shumta te fansat, të cilët kanë mbetur të habitur nga kjo “degë ulliri” e paqes mes dy kampeve. “Uau, kjo është vërtet e bukur,” ka shkruar një ndjekës, ndërsa një tjetër e ka konsideruar si një “crossover të mrekullueshëm”. Megjithatë, nuk kanë munguar as komentet me humor, ku një fans ka bërë shaka duke thënë se kjo mund të jetë një “magji” e Georginës në kohën kur Messi po udhëheq Argjentinën në Botëror.
Në fakt, ky nuk është momenti i parë që ato shfaqin afrimitet, pasi shpesh kanë mbështetur njëra-tjetrën duke i bërë “like” postimeve në rrjetet sociale. Vetë Cristiano Ronaldo pati deklaruar më parë se mes tij dhe Messit nuk ka pasur kurrë armiqësi jashtë fushe: “Asnjëherë nuk kam pasur marrëdhënie të keqe me Messin. Eshtë krejt e kundërta.”
Për më tepër, ylli i futbollit ka treguar një histori interesante se si origjina e Georginës (e cila ka lindur në Argjentinë) e ka ndihmuar të kalojë një moment të sikletshëm me një stjuardesë argjentinase gjatë udhëtimeve të Botërorit. Ronaldo tregoi se si stjuardesa po e shikonte dhe sapo ai ia nguli sytë, ajo e hoqi vështrimin me shpejtësi.
“I thashë me shaka: ‘Ti më shikove dhe pastaj e largove vështrimin shpejt. Kjo do të thotë se nuk të pëlqen Cristiano’. Më pas i tregova se partnerja ime është argjentinase, nga Buenos Aires, dhe se kam një simpati të veçantë për argjentinasit. Pas kësaj, çdo gjë rrodhi mirë dhe nuk pati asnjë problem,” ka treguar Ronaldo, duke vërtetuar se pavarësisht rivalitetit në fushë, lidhjet mes familjeve të tyre janë më se miqësore. /Prive By Liberta Spahiu



