Çfarë e bën një fytyrë vërtet tërheqëse?
Ndërsa shpesh themi se bukuria është tërësisht subjektive, një studim i ri shkencor sugjeron të kundërtën. Përmes përdorimit të teknologjisë së skanimit 3D për të analizuar më shumë se 600 fytyra me forma të ndryshme, shkencëtarët besojnë se kanë identifikuar tiparet ekzakte që njerëzit i vlerësojnë si më tërheqëset te të dyja gjinitë.
Tiparet ideale te gratë dhe burrat: Kush janë shembujt realë?
Sipas rezultateve të studimit, te gratë më të vlerësuarat janë fytyrat më të holla (slimmer), buzët më të plota dhe tiparet më të definuara. Ndërkohë, hulumtuesit theksojnë se tërheqja rrallëherë përcaktohet nga një tipar i vetëm “perfekt”, siç mund të jetë hunda, mjekra apo nofulla. Përkundrazi, sekreti qëndron te kombinimi i detajeve të imëta që plotësojnë njëra-tjetrën.
Si shembujt më të afërt realë të këtyre “fytyrave ideale”, studimi veçon disa personazhe të njohur botërorë. Për gratë, këto karakteristika i ndajnë yje si Margot Robbie dhe Elsa Hosk.

Nga ana tjetër, për burrat, krahasimet më të afërta me modelin shkencor të tërheqjes janë aktori Henry Cavill dhe modeli David Gandy.

Studimi gjithashtu nxjerr në pah rëndësinë e jashtëzakonshme të përshtypjes së parë. Sipas shkencëtarëve, njerëzit e krijojnë mendimin e parë për dikë në vetëm një të dhjetën e sekondës, dhe ky vlerësim ka një ndikim të fortë e afatgjatë në marrëdhënie.
Në momentin e parë të kontaktit vizual, përveç moshës apo gjinisë, ne në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme formojmë opinione për të tjerët. Këto opinione lidhen drejtpërdrejt me cilësi të tilla si besueshmëria, kompetenca dhe inteligjenca.
Në këtë kuadër, studimet e mëparshme kanë treguar gjithashtu se, në përgjithësi, gratë shihen si më tërheqëse se burrat. Eugen Wassiliwizky, autori kryesor i studimit nga Instituti “Max Planck” për Estetikën Empirike në Frankfurt, ka shpjeguar këtë fenomen interesant.
Sipas tij, ajo që bie më shumë në sy është se vetë gratë i vlerësojnë gratë e tjera si dukshëm më tërheqëse sesa burrat. Ndërkohë, fytyrat e meshkujve vlerësohen në mënyrë të ngjashme — dhe përgjithësisht më ulët — nga të dyja gjinitë. /Prive By Liberta Spahiu


