Gjyqi ndaj Lindsay Clancy, nënës amerikane që pranoi se ua mori jetën tre fëmijëve të saj, ka marrë një kthesë që po shkakton diskutime të mëdha në rrjet.
Në qendër të vëmendjes është një kërkim në internet për metoda vetëvrasjeje, të cilin prokuroria e paraqiti si provë për të treguar se Lindsay kishte planifikuar veprimet e saj.
Megjithatë, avokati i saj, Kevin Reddington, zbuloi gjatë marrjes në pyetje të hetuesit se kërkimi ishte bërë nga një pajisje Microsoft Surface Pro që i përkiste ish bashkëshortit të saj, Patrick Clancy.
Mbrojtja pretendon se në orën kur ishte kryer kërkimi, Lindsay ndodhej në një vizitë mjekësore me njërin prej fëmijëve. Kur hetuesi konfirmoi se pajisja i përkiste Patrickut, avokati reagoi shkurt: “Kaq ishte?”
Ky moment ka bërë që në rrjet të lindin teori të shumta rreth ish bashkëshortit dhe personit që mund ta ketë përdorur pajisjen. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë provë publike që e lidh Patrick Clancyn me vdekjen e fëmijëve. Ai nuk është i akuzuar dhe as i identifikuar si i dyshuar në këtë çështje. Mbrojtja e Lindsayt gjithashtu nuk e mohon se ishte ajo që ua mori jetën fëmijëve.
Kevin Reddington, një avokat me dekada përvojë në çështje të profilit të lartë, po përpiqet të dëshmojë se një pjesë e provave digjitale mund t’i jenë atribuar gabimisht Lindsayt dhe se hetimi nuk ka qenë aq i saktë sa pretendon prokuroria.
Lindsay Clancy akuzohet për vdekjen e fëmijëve të saj, Cora pesë vjeçe, Dawson tre vjeç dhe Callan tetë muajsh, në janar të vitit 2023. Pas ngjarjes, ajo u hodh nga dritarja e shtëpisë dhe mbeti e paralizuar nga mesi e poshtë.
Mbrojtja thotë se ajo vuante nga psikozë pas lindjes, dëgjonte zëra dhe ishte trajtuar me një numër të madh barnash psikiatrike. Prokuroria, në anën tjetër, pretendon se veprimet ishin të planifikuara dhe se Lindsay e kishte larguar qëllimisht bashkëshortin nga shtëpia duke e dërguar për të marrë ushqim dhe ilaçe.
Patrick ka dëshmuar se, kur u kthye në shtëpi, gjeti Lindsayn të plagosur në oborr dhe më pas tre fëmijët në bodrum.
Tashmë mbetet në dorën e jurisë të vendosë nëse Lindsay ishte e vetëdijshme për veprimet e saj apo nëse gjendja e rëndë mendore e bënte të papërgjegjshme penalisht. /Prive Bruto


