Shumë prej nesh mendojnë se të qëndrosh 24 orë pa ujë thjesht do të thotë të kesh etje dhe një ndjesi tharjeje në gojë. Megjithatë, uji përbën rreth 60% të peshës sonë trupore dhe është karburanti kryesor i çdo qelize. Kur e privon trupin nga ky element vital për një ditë të plotë, skenari që zhvillohet prapë skenave nuk është thjesht një “ndjesi etjeje”, por një gjendje alarmi dhe mbijetese ku çdo organ fillon të ndryshojë mënyrën si funksionon.
Truri “tkurret” dhe humb përqendrimin
Ndryshe nga sa mendon, shenjat e para të privimit nga uji nuk shfaqen në stomak apo në fyt, por në kokë. Studimet neurologjike tregojnë se kur trupi humb ujë, indet e trurit fjalë për fjalë humbasin volum (tkurren) duke u tërhequr paksa nga kofshat e kafkës. Kjo shkakton atë dhimbjen e kokës tipike të dehidratimit. Për më tepër, vëmendja, kujtesa afatshkurtër dhe aftësia për të marrë vendime bien ndjeshëm; truri yt po punon me “bateri të dobët”.
Veshkat hyjnë në “Save Mode”
Veshkat janë filtri i trupit tënd, dhe pa ujë, ato detyrohen të marrin masa drastike. Pasi vërejnë rënien e volumit të gjakut, veshkat fillojnë të mbajnë sa më shumë lëngje të munden. Rezultati? Ti pothuajse ndalon së urinuari. Kur uron pas shumë orësh, ajo ka një ngjyrë të errët (ngjashëm me kafen ose portokallinë e errët) dhe një erë të fortë. Ky është një sinjal i qartë se trupi po mbingarkohet me toksina që nuk po arrin t’i nxjerrë jashtë.
Zemra punon me “orë shtesë”
Kur nuk pi ujë, volumi i përgjithshëm i gjakut në trup ulet sepse gjaku humb ujin dhe bëhet më i trashë. Për të mbajtur tensionin e gjakut stabil dhe për të dërguar oksigjen në organet vitale, zemrës tënde i duhet të rrahë shumë më shpejt dhe me më shumë sforcim. Nëse mat rrahjet e zemrës pas 24 orëve pa ujë, do të vëresh se ato janë dukshëm më të larta se normalja, madje edhe kur je duke pushuar.
Lëkura humb elasticitetin dhe metabolizmi “ngrin”
Një nga testet më të shpejta që mjekët bëjnë për dehidratimin është kapja e lëkurës në pjesën e pasme të dorës. Nëse je i hidratuar, lëkura kthehet menjëherë në vend. Pas 24 orëve pa ujë, lëkura humb elasticitetin (turgorin) dhe qëndron e ngritur për disa sekonda. Gjithashtu, metabolizmi ngadalësohet në maksimum për të ruajtur energjinë, që do të thotë se djegia e kalorive pothuajse bllokohet dhe temperatura e trupit mund të fillojë të rritet pasi nuk mund të djersish më për t’u ftohur.
Pasojat afatgjata: Pse nuk duhet ta kthesh në zakon?
Nëse pas 24 orëve ti pi ujë, trupi do të fillojë të rikuperohet gradualisht, megjithëse mund të të duhen disa ditë për t’u ndjerë plotësisht në formë. Megjithatë, nëse kjo gjendje zgjat më shumë ose përsëritet shpesh, rrezikon dëmtime serioze në veshka (si gurë në veshka apo dështim akut), konvulsione nga çekuilibri i elektroliteve dhe në raste ekstreme, shok hipovolemik (kur volumi i ulët i gjakut bën që organet të dështojnë). Uji nuk është thjesht një pije – është vetë jeta për qelizat e tua. /Prive By Liberta Spahiu


