Bora Zemani nuk do të jetë pjesë e ekranit të Top Channel në sezonin e ri televiziv.
Prive By Liberta Spahiu mëson nga burimet e saj se kapitulli mes moderatores dhe televizionit është mbyllur pa zhurmë, pas një periudhe të gjatë gjatë së cilës ajo drejtoi disa prej produksioneve më të rëndësishme argëtuese të këtij ekrani.

Një prej pikave që ndryshoi ndjeshëm trajektoren e saj televizive ishte “Për’puthen”. Bora mori drejtimin e formatit në vitin 2020 dhe sezoni i saj i parë u kthye në një fenomen të madh audience, veçanërisht në platformat digjitale.
Pas suksesit të “Për’puthen”, Bora kaloi në spektakle të tjera të rëndësishme të Top Channel. Në vitin 2022 ajo mori drejtimin e “Dancing With The Stars”, ku u rikthye si moderatore edhe në sezonin pasues.
Më vonë, Zemani iu besua edhe “Piramida”, një tjetër format në prime time që e mbajti atë në vijën e parë të figurave të argëtimit në televizion.
Në vitin 2025, ajo iu bashkua edhe “Për Shqiptarët”, programit me karakter humanitar të drejtuar së bashku me Elvis Naçin. Top Channel e prezantoi Borën atë vit si risinë e sezonit të dytë, ndërsa ajo vazhdoi në krye të programit edhe në sezonin pasues.
Tani, sipas burimeve të Prive By Liberta Spahiu, ky rrugëtim nuk do të vazhdojë në sezonin e ri televiziv.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë hapi i radhës për Bora Zemanin. Një mundësi është që ajo të fokusohet më shumë në aktivitetin e saj sipërmarrës dhe në brandin “Zeman”, ndërsa nuk përjashtohet as një angazhim i ri nën një tjetër logo televizive. /Prive By Liberta Spahiu.


