Pas një mungese prej rreth gjashtë muajsh nga rrjetet sociale, influencerja shqiptare Blerta është rikthyer me një rrëfim të gjatë dhe tejet personal për gjendjen e saj shëndetësore.
Përmes një postimi në Instagram, ajo ka treguar se për një kohë të gjatë nuk e dinte se si dhe kur do të rikthehej para ndjekësve, pasi kishte shpresuar që momenti i rikthimit të vinte vetëm atëherë kur do të mund të thoshte se ndihej mirë.
“Mendoj se dalëngadalë ka ardhur koha të lajmërohem sërish te ju. Nuk e dija se si do të kthehesha një ditë këtu dhe nëse do të vinte momenti kur do të mund të thosha se më në fund jam mirë. Por nuk e di kur do të vijë ai moment. Para se të kalojë edhe më shumë kohë, thjesht doja t’ju jepja një shenjë jete”, ka shkruar ajo.
Blerta ka treguar se gjashtë muajt e fundit kanë qenë të mbushur me momente të vështira, por edhe me zhvillime që i është dashur t’i përpunojë larg syrit të publikut. Ajo thotë se gjatë kësaj periudhe kishte zgjedhur të përqendrohej te shëndeti dhe jeta e saj, duke u përpjekur të vazhdonte përpara.
Megjithatë, rikthimi i saj nuk ka ardhur me lajmin që ndjekësit e saj do të dëshironin. “E vërteta sot është thjesht se nuk jam aspak mirë. Trupi im po më tregon shumë qartë se sa shumë mund të ndryshojë gjithçka brenda minutash dhe orësh dhe se jam më e sëmurë nga sa ndoshta kam dashur t’ia pranoj vetes. Ky definitivisht nuk është fundi i lumtur që doja për jetën time”, ka rrëfyer Blerta.
Ajo ka shtuar se kishte menduar që, kur të rikthehej në rrjete sociale, do të mund të tregonte se periudha më e vështirë kishte mbetur pas saj. Por, sipas saj, beteja vazhdon ende dhe detajet do t’i ndajë gradualisht, atëherë kur të ketë forcën e nevojshme.
“Për sot thjesht doja të thosha: Jam ende këtu. Dhe për sa kohë që jam këtu, kam gjithmonë shpresë”, e ka përfunduar ajo postimin.
Blerta prej kohësh e ka bërë publike betejën e saj me Craniocervical Instability, diagnozë të cilën e ka të shënuar edhe në profilin e saj në Instagram. Gjatë vitit të kaluar, bashkëshorti i saj Blero Syla kishte informuar ndjekësit për trajtimin e saj në Spanjë dhe për një ndërhyrje kirurgjikale, duke treguar se rikuperimi po shoqërohej me dhimbje të forta.
Në tetor të vitit 2025, Blero kishte bërë të ditur gjithashtu se Blerta kishte kaluar disa ndërhyrje kirurgjikale brenda një periudhe të shkurtër dhe se çifti po vazhdonte këtë rrugëtim me shpresë, pavarësisht vështirësive të shumta.
Rikthimi i saj pas gjashtë muajsh heshtjeje ka sjellë kështu një mesazh larg një “happy end”, por me një fjali që përmbledh gjithë qëndrimin e saj përballë kësaj periudhe: për sa kohë është këtu, shpresa mbetet.
/Prive By Liberta Spahiu


