Rënia e flokëve shpesh lidhet me genetikën ose hormonet, por ekspertët e dermatologjisë dhe trikologjisë (ekspertët e shëndetit të flokut) paralajmërojnë se zakonet tona më të zakonshme ditore janë shkaktari kryesor i këputjes dhe dobësimit të rrënjës. Nga mënyra se si i lani te krehja pas dushit, këto janë gabimet më të shpeshta që duhet t’i korrigjoni për të ruajtur dendësinë e flokut.
Dushi me ujë shumë të nxehtë
Uji me temperaturë të lartë largon yndyrën natyrale (sebum) që mbron skalpin. Sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë (AAD), uji i nxehtë thajë lëkurën e kokës, shkakton mikro-inflamacion dhe dobëson me kalimin e kohës folikulat e flokut. Zgjidhja më e mirë është larja me ujë të vakët dhe shpëlarja përfundimtare me ujë më të freskët për të mbyllur kutikulën e fijes.
Krehja dhe fshirja agresive kur flokët janë të lagur
Kur floku është i lagur, struktura e tij protejike (keratina) është në gjendjen më të brishtë dhe më elastike. Fshirja e fortë me peshqir pambuku krijon fërkim që këput fijen, ndërsa krehja e menjëhershme shkakton tërheqje të rrënjës. Ekspertët sugjerojnë tharjen e lehtë duke e shtypur flokun me një peshqir mikrofibre ose bluzë pambuku, si dhe përdorimin e një krehri me dhëmbë të gjerë vetëm pasi floku të ketë humbur lagështinë kryesore.
Stilet e ngushta të kapjes (Traction Alopecia)
Kapja e fortë e flokëve në modelin “bisht kalë”, gërshetat e ngushta apo topuzët e shtrënguar krijojnë tension të vazhdueshëm në rrënjë. Kjo tërheqje mekanike çon me kalimin e kohës në atë që mjekësia e quan Traction Alopecia — dëmtim i përhershëm i folikulit ku floku ndalon së rrituri, veçanërisht rreth vijës së ballit.
Përdorimi i tepruar i shampos së thatë
Ndonëse është një zgjidhje praktike për ditët e ngarkuara, përdorimi i shpeshtë i shampos së thatë krijon shtresë mbi skalp duke bllokuar poret. Kjo pengon ajrosjen e natyrshme të folikulave dhe nxit grumbullimin e baktereve e yndyrës së bllokuar, faktorë që çojnë në inflamacion dhe rënie të flokëve.
Stilimi me nxehtësi pa spray mbrojtës
Përdorimi i tharëses, mashës apo drejtueses në temperatura mbi 180°C pa aplikuar më parë një mbrojtës termik avullon lagështinë e brendshme të fijes. Kjo shkakton çarje mikrostrukturore në fije, duke e bërë flokun të brishtë dhe të prirur për t’u këputur sapo ta prekni.
Ndryshimi i këtyre zakoneve të vogla ditore bën një dallim të madh në shëndetin e skalpit brenda pak javësh. Kujdesi për flokët fillon me respektimin e strukturës së tyre natyrale, përpara se të investoni në produkte apo trajtime të shtrenjta.
/Prive Bruto


