Reperi Stresi ka njoftuar në Instagram se disa këngë të tij, të bllokuara prej kohësh në YouTube për arsye teknike dhe kontraktuale, do të publikohen më në fund.
Pas publikimit të tyre, ai do të marrë një pauzë të përkohshme nga muzika për t’iu përkushtuar disa projekteve të tjera profesionale.
Në një mesazh të gjatë dhe falënderues, reperi iu drejtua fansave, mbështetësve, kolegëve, por edhe kritikëve, duke theksuar se të gjithë kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij artistik.
“Sonte në 19:00 dalin disa këngë të miat që kanë qëndruar të bllokuara për arsye teknike dhe procedurash kontraktuale me YouTube. Më në fund janë aty ku duhet të jenë, te ju”, shkroi Stresi.
Reperi kujtoi gjithashtu rrugëtimin e tij artistik dhe njerëzit me të cilët ka ndarë muzikën, skenën dhe momente të rëndësishme ndër vite.
“Kam kaluar shumë gjëra në këtë rrugë. Kam rënë, jam ngritur, kam humbur njerëz, kam fituar njerëz… por një gjë nuk ka ndryshuar kurrë: respekti dhe dashuria për ata që më kanë qëndruar pranë”, tha ai.
Reperi theksoi se kjo nuk është një lamtumirë nga muzika, por një periudhë për t’u fokusuar në angazhime të reja. Ai falënderoi fansat, mbështetësit, kolegët dhe kritikët për rolin që kanë pasur në rrugëtimin e tij.
“Kjo nuk është lamtumirë. Thjesht po marr pak kohë për të ndërtuar diçka tjetër. Do të shihemi shumë shpejt”, përfundoi ai.
Mbetet për t’u parë se cilat janë projektet e reja që Stresi po përgatit dhe se çfarë do të sjellë rikthimi i tij në muzikë.
/Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


