Në muzikë, një këngë zakonisht arrin kulmin në muajt e parë pas publikimit. Por “Training Season” e Dua Lipës po bën pothuajse të kundërtën.
E publikuar në shkurt të vitit 2024, kënga po përjeton në shtator të 2026-s një valë të jashtëzakonshme viraliteti. Vetëm versioni origjinal po regjistron rreth 2.5 milionë dëgjime në ditë në Spotify, ndërsa bashkë me versionin “Live from the Royal Albert Hall”, shifra afrohet në katër milionë.
“Training Season” tashmë është shumë pranë një miliard dëgjimeve në Spotify, ndërsa rikthimi është reflektuar edhe në top-lista. Kënga u rikthye deri në vendin e gjashtë në Billboard Global 200 dhe arriti një kulm të ri, pozitën e tretë, në Global Excl. U.S.
Por pas këtij shpërthimi qëndron një histori edhe më interesante.
Kur Dua e shkroi këngën, ajo sapo kishte kaluar disa eksperienca zhgënjyese në takime. Këngëtarja ka treguar se vendosi të shkruante konkretisht atë që kërkonte nga një partner, duke e përshkruar më vonë këngën si “pothuajse një formë manifestimi”.
Dhe më pas erdhi Callum Turner.
Dua dhe aktori britanik ishin ndeshur më herët në Londër, por takimi që ndryshoi gjithçka ndodhi në ditëlindjen e një miku të përbashkët në Los Angeles. Kur u ulën pranë njëri-tjetrit, zbuluan se të dy po lexonin të njëjtin libër, “Trust” të Hernan Diaz, madje kishin arritur në të njëjtën pjesë.
Një tjetër rastësi që sot po mahnit fansat është data: “Training Season” u publikua më 15 shkurt 2024 – pikërisht në ditëlindjen e Callum Turner.
Lidhja e tyre u bë publike atë vit, pasoi fejesa dhe në vitin 2026 çifti kurorëzoi historinë e dashurisë me martesë. Pas ceremonisë civile në Londër, festimet e dasmës u zhvilluan në Palermo të Sicilisë.
Pikërisht tani, pas martesës së tyre, TikTok-u e ka kthyer “Training Season” në një trend të manifestimit të partnerit ideal. Përdoruesit shkruajnë cilësitë që dëshirojnë te personi i ardhshëm dhe përdorin këngën e Dua Lipës si kolonë zanore.
Dhe historia e saj vetëm sa e ka fuqizuar trendin: Dua shkroi për burrin që dëshironte, e quajti këngën një formë manifestimi, më pas takoi Callum Turner dhe përfundimisht u martua me të.
Tani, më shumë se dy vjet pas publikimit, kënga me të cilën Dua Lipa “manifestoi” dashurinë po përjeton një jetë të dytë – dhe po marshon drejt një miliard dëgjimeve në Spotify. /Prive By Liberta Spahiu


