Aktorja e njohur Monika Lubonja ka thyer heshtjen përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke u deklaruar hapur lidhur me ngjarjen në të cilën emri i saj është përfshirë në rastin e materialeve intime të kompozitorit Adrian Hila.
Përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë dhe prekës, ajo ka konfirmuar se i është drejtuar organeve të drejtësisë për të mbrojtur dinjitetin dhe privatësinë e saj.
Në reagimin e saj, Lubonja shprehet se ndihet e tradhtuar nga një person të cilit i kishte dhënë besimin dhe disa vite të jetës së saj. Ajo thekson se nuk ka pasur dijeni dhe as nuk ka dhënë pëlqimin për t’u regjistruar, e aq më pak që këto materiale intime të shpërndaheshin apo publikoheshin.
“Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë”, shkruan ajo, duke shprehur dhimbjen për keqpërdorimin e besimit të saj.
Aktorja u ka bërë gjithashtu thirrje mediave që të respektojnë privatësinë e saj dhe të shmangin spekulimet apo publikimin e materialeve intime. Po ashtu, ajo i ka kërkuar opinionit publik që të mos e kthejë dhimbjen e saj në argëtim dhe të mos e gjykojë për besimin që i ka dhënë një personi të cilin e cilëson si të pabesë.
Bashkëngjitur reagimit të saj, Monika Lubonja ka publikuar edhe padinë e depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Në dokumentin ligjor, ajo figuron si e dëmtuar akuzuese ndaj shtetasit Adrian Hila, ndërsa përmenden akuzat për veprat penale “Fyerja”, sipas nenit 119 të Kodit Penal, dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, sipas nenit 121 të Kodit Penal.
Lubonja e ka përmbyllur reagimin e saj me një qëndrim të vendosur, duke theksuar se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore deri në fund, me bindjen se e vërteta do të dalë në pah.
“Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ia fal askujt që përdori jetën time! Do ta ndjek ligjërisht dhe jam e sigurt që e vërteta do të flasë”, ka përfunduar aktorja.
/Prive By Liberta Spahiu


