Elvana Gjata, ka reaguar përmes një postimi në Instagram lidhur me situatën e krijuar në Tiranë, duke bërë thirrje për qetësi dhe kundërshtim pa dhunë.
Në mesazhin e saj, artistja shpreh shqetësimin për pamjet e dhunës ndaj të rinjve dhe policisë, si dhe për përplasjet mes shqiptarëve.
“Më dhemb në shpirt kur shoh një të ri që dhunohet, një polic që dhunohet, një shqiptar që ngre dorën kundër një shqiptari tjetër”, shkruan Elvana.
Ajo i drejtohet gjithashtu politikës, qeverisë dhe udhëheqësve të vendit, duke kërkuar që zëri i të rinjve të dëgjohet pa paragjykime dhe pa kushte, përmes një dialogu të vërtetë.
“Mos e shkatërroni këtë vend! Jemi shumë të brishtë për të mbajtur edhe plagët që ia shkaktojmë vetes!”, thekson këngëtarja.
Në fund të reagimit, këngëtarja u bën thirrje qytetarëve të protestojnë dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre, por pa shkatërrime dhe pa dhunë.
“Protesto! Ulërit! Frymëzo! Bashkohu në protestë qytetare! Por, mos shkatërro! Mos digj! Mos dhuno!”, përfundon mesazhi i saj, në të cilin thekson se vendi u përket të gjithëve dhe se rinia meriton një të ardhme më të mirë.
Protestat në Tiranë u zhvilluan më 13 tetor dhe vijuan edhe më 14 tetor, me studentë e qytetarë që dolën në rrugë për të kërkuar ndryshime në arsim dhe për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë.
Tubimet u shoqëruan me përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e private. /Prive By LS



