Anita Haradinaj, bashkëshortja e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, ka konfirmuar përmes një postimi se është takuar për një kafe me Lume Thaçin dhe Violeta Veselin, bashkëshortet e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët ndodhen në Hagë prej pothuajse gjashtë vitesh.
Përmes një mesazhi, Anita ka treguar se përtej çdo gjëje, vlerat njerëzore dhe solidarizimi mes tyre qëndrojnë mbi të gjitha.
“Po, kam pi kafe me Lume Thaçin edhe me Violeta Veselin. Po pimë kafe, se njerëz jemi dhe njeriu mbi të gjitha veç për njeriun ka nevojë, qajtëm halle e derte sepse, përveç çdo gjëje, njeriu është njeri mbi të gjitha!”, ka shkruar ajo, duke vlerësuar takimin e tyre të ngrohtë.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, Anita ka kujtuar periudhën e saj të vështirë kur bashkëshorti i saj, Ramush Haradinaj, përballej me proceset gjyqësore në Hagë. Ajo ka ndarë me to historinë e saj personale, duke treguar se ka qenë vetëm 24 vjeç kur i është dashur të kalojë nëpër të njëjtat sfida e dhimbje që ato po kalojnë sot, duke gjetur kështu një gjuhë të përbashkët mirëkuptimi dhe përjetimi si gra që sakrifikuan shumë për krah burrave të tyre.
Në mbyllje të mesazhit, Anita ka lënë një porosi të fuqishme për të gjithë ata që komentojnë, duke theksuar se kur historia paguhet me një mal me dhimbje bashkë me një popull për një kauzë të madhe, atëherë sakrifica dhe vuajtja e kanë një vlerë të jashtëzakonshme, ashtu siç kanë bërë historikisht gratë e mëdha të kombit si Marigona e flamurit apo Donika e Skënderbeut.
/Prive By Liberta Spahiu



