Sanremo 2027 mund të sjellë një nga surprizat më të mëdha të viteve të fundit në ekranin italian: ngjitjen e Dua Lipës në skenë si bashkë-prezantuese. Ndonëse televizioni publik italian RAI po ruan një heshtje absolute dhe marrëveshja nuk është zyrtarizuar ende, raportimet e agjencisë Adnkronos kanë ndezur kuriozitetin e të gjithëve.
Nuk flitet për një vizitë të thjeshtë si e ftuar nderi, por për një rol udhëheqës gjatë një prej netëve të festivalit.
Pas këtij projekti ambicioz qëndron prezantuesi Stefano De Martino, i cili bën debutimin e tij të dyfishtë si drejtues dhe drejtor artistik i Sanremos.
Së bashku me menaxherin muzikor Fabrizio Ferraguzzo, ata po kërkojnë të ndërtojnë një spektakël me frymëmarrje ndërkombëtare për datat 16 deri më 20 shkurt 2027. Ky skenar merr akoma më shumë besueshmëri kur sheh kalendarin e vetë artistes me origjinë shqiptare, i cili nuk figuron me asnjë koncert apo angazhim gjatë atyre ditëve.
Rikthimi i Dua Lipës në skenën e “Ariston” — ku performoi për herë të parë në vitin 2020 me hitin “Don’t Start Now” — përflitet se mund të lidhet me natën e re të titulluar “Performance”, ku do të zgjidhet përfaqësuesi i Italisë për Eurovision. Për këngëtaren kjo nuk është një zonë e panjohur, pasi nëpërmjet kompanisë së saj Tap Music, ajo ka bashkëpunuar më parë me rrjetin britanik BBC për përzgjedhjen e përfaqësuesit të Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2022.
Pjesë e këtij ekipi të ideuar nga De Martino përflitet se do të jenë edhe emra të tjerë të fuqishëm të ekranit. Diskutohet për një rikthim special të Maria De Filippi-t për një natë të vetme, si dhe për praninë e komedianes Brenda Lodigiani gjatë gjithë ditëve të festivalit. Nëse këto negociata mbyllen me sukses, edicioni i 2027-ës premton të balancojë më së miri televizionin popullor italian me shkëlqimin e muzikës botërore. /Prive By Liberta Spahiu