E mbani mend “Rubí”-n? Historia e famshme rikthehet në ekran, kësaj here në versionin turk
Adhuruesit e serialeve latine mund ta kujtojnë “Rubí”-n, një prej serialeve më të njohura meksikane të viteve 2000. Tashmë një histori me ngjashmëri të dukshme ka mbërritur në ekranin turk me serialin e ri “Başkalarının Hayatı”, i cili transmetohet në Star TV.

Seriali i ri turk publikoi episodin e parë më 26 shtator dhe në qendër të tij është Hülya, një vajzë e re nga një familje me kushte të vështira, e cila fiton një bursë për universitet. Ajo është e bukur, ambicioze dhe dëshiron të largohet nga jeta që ka njohur deri atëherë.
Në universitet, Hülya njihet me Neslihanin, vajzën e një familjeje të pasur. Miqësia me të i hap dyert drejt një bote luksoze, të cilën deri atëherë e kishte parë vetëm nga larg. Hülya fillon të afrohet gjithnjë e më shumë me familjen e Neslihanit dhe, në një moment, e prezanton veten dhe familjen e saj ndryshe nga realiteti.
Ndërkohë, në jetën e saj shfaqet edhe doktori Sarp. Hülya tërhiqet prej tij dhe beson se edhe ai është pjesë e asaj bote të pasur ku ajo dëshiron të përfshihet.
Në anën tjetër, Neslihani përballet me një situatë të ndërlikuar emocionale. Rikthimi i dashurisë së saj të fëmijërisë, Erimit, nga Londra po afrohet, ndërsa ajo fsheh një sekret që nuk ka mundur t’ia tregojë. Hülya shfrytëzon momentet e dobëta të saj për të fituar besimin dhe miqësinë e saj.
Episodi i parë nis gjithashtu me një skenë që ngre shumë pikëpyetje për fatin e Hülyas, ndërsa historia më pas kthehet pas në kohë për të treguar se si ajo u fut në këtë botë. Kjo skenë ka bërë që shikuesit të pyesin se çfarë do ta çojë personazhin deri në atë pikë.
“Başkalarının Hayatı” u raportua gjatë fazës së përgatitjeve si një përshtatje turke e “Rubí”-t, serialit meksikan të vitit 2004 me protagoniste Bárbara Morin. Megjithatë, në prezantimet zyrtare aktuale të Star TV, seriali përshkruhet si i frymëzuar nga romani “Vanity Fair” i William Makepeace Thackeray.
Me historinë e Hülyas, dëshirën e saj për një jetë më të mirë dhe marrëdhëniet që ndërtohen mes saj, Neslihanit, Sarpit dhe Erimit, seriali duket se po vendos bazat për një histori të mbushur me ambicie, dashuri dhe sekrete. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


