Vrasja e rëndë e Arlinda Zekajt, nënës dhe bashkëshortes që kishte kërkuar mbrojtje shtetërore, ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur reagime të shumta.
Mes tyre është edhe reagimi i Anita Haradinajt, e cila përmes një postimi në rrjetin social Instagram ka shprehur dhimbjen për ngjarjen tragjike, duke përcjellë një mesazh të prerë kundër keqpërdorimit të mbiemrit Haradinaj.
Në reagimin e saj, ajo ka shprehur solidaritet me familjen e viktimës, duke theksuar se pret që autori i këtij krimi të marrë dënimin e merituar.
“Si anëtare e familjes Haradinaj, bashkëndiej dhimbjen e madhe për vrasjen makabre dhe tronditëse të një nëne dhe një gruaje që kërkonte mbrojtje shtetërore, të ndjerës Arlinda Zekaj.
Shpresojmë që ai që ka kryer këtë krim mizor të marrë dënimin e merituar për këtë krim ndaj një qenieje të shtypur dhe të pafuqishme, që kërkonte drejtësi në çdo derë, por pa efekt”, ka shkruar ajo.
Më tej, Anita ka ngritur shqetësimin për keqpërdorimin e mbiemrit Haradinaj nga avokatja, pas deklaratave të saj në emisionin ‘Kosova Today’, duke kërkuar nga avokatja e rastit, Adelina Hoxha, që të sqarojë publikisht se për kë bëhet fjalë.
“Nuk është hera e parë që njerëz të ndryshëm, keqbërës të ndryshëm, kriminelë të ndryshëm, keqpërdorin emrin ‘Haradinaj’ për të frikësuar dhe kërcënuar individë e për ta përdorur këtë emër si mburojë për krimet e tyre. Kërkoj nga avokatja Adelina Hoxha që konkretisht të deklarojë publikisht dhe pranë organeve hetimore se kush është me emër ai Haradinaj, në emër të të cilit apo të cilëve ka kërcënuar vrasësi i Arlinda Zekajt, e jo ta turbullojë ujin me një fjalë të tillë të ndjeshme, pasi mbiemrin Haradinaj e kam edhe unë, edhe fëmijët e mi, edhe qindra anëtarë të familjes Haradinaj”, ka deklaruar ajo.
Në fund të reagimit, Anita ka theksuar se mbiemri Haradinaj, sipas saj, përfaqëson sakrificën, dashurinë për atdheun dhe respektin ndaj shtetit e ligjit, e jo strehë për kriminelët.
“Ky është një mbiemër që përfaqëson sakrificën dhe dashurinë për atdheun, respektin ndaj shtetit dhe ligjit, e jo strehë horrash e kriminelësh”, ka përfunduar ajo, duke e mbyllur reagimin me fjalët: “Prehet në paqe Arlinda Zekaj!”
/Prive By LS
View this post on Instagram


