Tragjedia e rëndë në Pejë, ku u vra Arlinda Sylaj Zekaj, ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur reagime të shumta nga emra të njohur të skenës shqiptare.
Në mesin e atyre që kanë reaguar është edhe këngëtarja e njohur Dhurata Dora, e cila përmes një postimi në InstaStory ka shprehur dhimbjen dhe shqetësimin e saj për përsëritjen e rasteve të tilla të dhunës ndaj grave.
Duke publikuar fotografinë e viktimës, artistja ka ndarë një mesazh emocional, ku ka shprehur indinjatën për humbjen e një tjetër jete dhe dhimbjen që kjo tragjedi i ka shkaktuar familjes së saj.
“E tmerrshme me marrë lajmin për vrasjen e Arlindës. Edhe një jetë e humbur, edhe një familje që duhet me jetu me një dhimbje të papërballueshme. Po më dhemb dhe më frikëson fakti që raste të tilla po përsëriten”, ka shkruar këngëtarja.
Dhurata Dora ka shprehur gjithashtu ngushëllimet e saj për familjen dhe të afërmit e Arlindës, duke iu drejtuar me një thirrje të drejtpërdrejtë institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete për mbrojtjen e grave.
“Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe të dashurve të Arlindës. Ju bëj thirrje institucioneve përgjegjëse: veproni me urgjencë. Merreni seriozisht çdo denoncim, çdo kërcënim dhe çdo kërkesë për ndihmë. Mbrojtja duhet me ardhë para se me qenë vonë!!!”, thuhet në reagimin e saj.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje nevojën për reagim të shpejtë institucional dhe trajtim serioz të çdo rasti të dhunës apo kërcënimit ndaj grave, në mënyrë që të parandalohen tragjedi të tilla. /Prive By LS



