Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, do të jetë pjesë e filmit të ri fantastiko-shkencor “The Signalers”, një thriller aventuresk që ka nisur tashmë xhirimet.
Në këtë projekt, Rita do të luajë përkrah aktorit Tom Hopper, i njohur nga “The Umbrella Academy”, dhe aktores së re Mila Harris, e cila ka spikatur me rolet e saj në “No Exit” dhe “Mary”.
Kastit i janë bashkuar edhe aktorët Missi Pyle, Nolan North, Paulina Alvarez, David Silverman dhe Wolfgang Fiegl.
Historia e filmit përqendrohet te një kontrollor i trafikut ajror, i interpretuar nga Tom Hopper, dhe mbesa e tij, me të cilën ka marrëdhënie të ftohta. Dyshja zbulojnë një sinjal misterioz në një zonë të izoluar të Kanadasë, i cili shkakton fenomene të çuditshme dhe të rrezikshme.
Gjatë përpjekjeve për të zbuluar origjinën e sinjalit, ata takojnë dy shkencëtare, të interpretuara nga Rita Ora dhe Missi Pyle, të cilat po hetojnë të njëjtin fenomen.
Mirëpo, kërkimet i çojnë drejt një zbulimi tronditës: një forcë jashtëtokësore, e fshehur prej kohësh, ka nisur të zgjohet dhe të kërcënojë gjithçka përreth.
Filmi është shkruar nga Cate Carson, ish-specialiste e inteligjencës ushtarake dhe ish-detektive, ndërsa regjia i është besuar Gille Klabin, i njohur për filmin “The Wave”.

Producentët kanë premtuar një histori të mbushur me tension, mister dhe efekte vizuale mbresëlënëse, duke e krahasuar atmosferën e filmit me veprat klasike të regjisorit Steven Spielberg.
“The Signalers” është një produksion i Gramercy Park Media, me financim nga Peachtree Group, ndërsa WME Independent është përgjegjëse për shitjet në tregun amerikan.
Për Rita Orën, ky projekt shënon një tjetër hap në karrierën e saj si aktore, pas paraqitjeve në filma si “Fifty Shades of Grey” dhe “Tin Soldier”.
Data e publikimit të filmit ende nuk është bërë e ditur. /Prive By LS


