Një nga momentet më të bukura të jetës ka ardhur për Marsela Çibukajn. Këngëtarja e njohur shqiptare është bërë nënë, ndërsa lajmin e ka ndarë vetë me publikun përmes një postimi të përbashkët me partnerin e saj, Vitmar Basha.
Çifti ka mirëpritur në jetë një djalë, të cilit i kanë vendosur emrin e veçantë Dajt Basha.
Marsela, e cila muajt e fundit kishte qenë më pak aktive në rrjetet sociale, ka zbuluar tashmë edhe arsyen e kësaj mungese.
“E di… s’kemi qenë shumë aktiv në rrjete sociale, por na është mbushur jeta, shpirti dhe zemra plot. Dajt Basha. Bekim i Zotit dhe i Dashurisë”, ka shkruar artistja krahas fotografive të ëmbla familjare.
Lajmi është pritur menjëherë me urime të shumta edhe nga emra të njohur të skenës shqiptare, mes tyre Aurela Gaçe, Arbana Osmani, Irma Libohova e të tjerë, të cilët i kanë uruar çiftit jetë të gjatë dhe shëndet për vogëlushin.
Prej vitesh ajo dhe kantautori Vitmar Basha kanë ndarë jo vetëm jetën private, por edhe pasionin për muzikën, duke u shfaqur së bashku edhe në projekte e performanca artistike. /Prive By Liberta Spahiu


