Pas më shumë se një jave të mbushur me ahengje, muzikë dhe tradita shqiptare, familja e këngëtares me famë botërore, Bebe Rexha, ka kurorëzuar festimet me dasmën e madhe të vëllait të saj.
Mbrëmjen e së dielës, më 11 tetor, Florent Rexha festoi martesën në New York, në një atmosferë që, ndonëse mijëra kilometra larg vendlindjes së prindërve, kishte gjithçka nga një dasmë tradicionale shqiptare.
E për atmosferën e zjarrtë është kujdesur edhe një emër shumë i dashur për publikun shqiptar, Yllka Kuqi, e cila ka performuar për të ftuarit, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të vërtetë me këngë e valle.
Në mesin e mysafirëve të kësaj dasme ishte edhe reperi i njohur shqiptar, Ledri Vula, i cili i është bashkuar festës së madhe të familjes Rexha përtej oqeanit.
Në videot e publikuara nga dasma, Bebe shihet duke shijuar në maksimum muzikën shqiptare, duke kërcyer mes familjarëve e të ftuarve, madje duke marrë edhe vetë mikrofonin për të kënduar.
Festimet kishin nisur që në fillim të tetorit, me organizime familjare, tupana, valle dhe rite tradicionale. Përgjatë gjithë kësaj periudhe, këngëtarja ka ndarë momente të veçanta me ndjekësit, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë me rrënjët e saj shqiptare.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe paraqitjes së yllit ndërkombëtar. Për këtë ngjarje familjare, Bebe i ka besuar kujdesin për flokët stilistit të njohur shqiptar Kaci, i cili ka udhëtuar përtej oqeanit, ndërsa për grimin është përkujdesur Dafina Neziri.
Ndonëse prej vitesh është pjesë e skenave më të mëdha ndërkombëtare, Bebe Rexha nuk e ka fshehur asnjëherë krenarinë për prejardhjen e saj. Madje, në intervista të mëhershme, ajo ka folur me nostalgji për dasmat shqiptare dhe atmosferën e tyre të veçantë.
E këtë herë, në një prej ditëve më të rëndësishme të familjes Rexha, traditat shqiptare ishin në qendër të vëmendjes, duke sjellë një dasmë që dukej sikur po zhvillohej në zemër të Kosovës, e jo në New York. /Prive By LS
@rexhar_reelz Bebe's on mic, the wedding party just took a new turn #beberexha #wedding #imgood ♬ original sound – Rexhar Reelz


