Fëmijët e ish-çiftit të famshëm Angelina Jolie dhe Brad Pitt, Zahara dhe Maddox, kanë ndërmarrë hapin e radhës ligjor për të hequr zyrtarisht mbiemrin e babait të tyre. Ata kanë publikuar njoftime në gazetë, siç e kërkon ligji i shtetit të Kalifornisë për ndryshimin e mbiemrit.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga PageSix, 21-vjeçarja Zahara ka publikuar kërkesën e saj për heqjen e mbiemrit “Pitt” në gazetën Los Angeles Daily Journal një herë në javë, për katër javë rresht (më 16, 23, 30 qershor dhe 7 korrik). Ky njoftim publik fton gjithashtu këdo që e kundërshton këtë ndryshim të paraqesë një kundërshtim me shkrim përpara seancës përfundimtare.

Zahara ka tashmë të caktuar një seancë gjyqësore më 28 shtator, ku një gjykatës do të marrë vendimin përfundimtar mbi këtë kërkesë. Nëse askush nuk paraqet ankesë deri atëherë, gjykatësi pritet ta miratojë zyrtarisht heqjen e mbiemrit të babait.
I njëjti proces është ndjekur edhe nga vëllai i saj më i madh, Maddox. Dokumentet tregojnë se kërkesa e 24-vjeçarit u botua në të njëjtën gazetë përgjatë datave 10, 17, 24 qershor dhe 1 korrik. Publikimi i tillë në një gazetë lokale është një nga kushtet e detyrueshme që parashikon ligji në Kaliforni për të bërë të vlefshëm ndryshimin.
Ky vendim vjen pasi Zahara paraqiti zyrtarisht kërkesën muajin e kaluar për të mbajtur vetëm emrin Zahara Jolie, në vend të Zahara Jolie-Pitt. Ajo e tregoi këtë distancim edhe gjatë diplomimit të saj në kolegjin Spelman në muajin maj, ku kur u ngjit në skenë për të marrë diplomën, u prezantua zyrtarisht si Zahara Marley Jolie. /Prive By Liberta Spahiu



