Pas plot 19 vitesh rrugëtim të përbashkët në muzikë, Lule Mustafa ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në karrierën e saj. Këngëtarja ka bërë të ditur se nga viti i ardhshëm do ta vazhdojë rrugëtimin artistik vetëm me grupin e saj, duke mos qenë më pjesë e angazhimeve të përbashkëta me Motrat Mustafa.
Lajmin Lulja e ka ndarë përmes një postimi emocional, ku ka reflektuar mbi gati dy dekadat e kaluara në skenë dhe rolin që motrat e saj kanë pasur në fillimet dhe zhvillimin e karrierës së saj.
“Kanë qenë mbështetja ime që në hapat e parë, më kanë ndihmuar, më kanë mësuar dhe kanë besuar tek unë kur gjithçka sapo kishte filluar”, është shprehur ajo.
Lulja ka theksuar se këngët e Motrave Mustafa vazhdojnë të jenë të pranishme në dasma dhe ahengje, jo vetëm në repertorin e saj, por edhe të shumë kolegëve të tjerë. Për të, kjo është dëshmi se muzika e tyre ka arritur t’i rezistojë kohës dhe të përcillet ndër breza.
Megjithatë, pas 19 vitesh krah tyre, këngëtarja tashmë ka vendosur të hapë një kapitull të ri.
“Nga viti i ardhshëm, rrugëtimin tim do ta vazhdoj vetëm me grupin tim”, ka bërë të ditur Lulja, duke sqaruar njëkohësisht se vendimi nuk nënkupton një shkëputje personale nga motrat e saj.
Ajo ka insistuar se raporti, respekti dhe mirënjohja ndaj tyre mbeten të pandryshuara, ndërsa atë që kanë ndërtuar së bashku e konsideron pjesë të rëndësishme të jetës dhe karrierës së saj.
“Kjo nuk është një ndarje nga motrat e mia, por një hap i ri në rrugëtimin tim”, ka shkruar këngëtarja.
Në fund, Lulja i ka falënderuar motrat për këngët, këshillat dhe mbështetjen ndër vite, duke e përmbledhur lidhjen e tyre artistike dhe familjare me fjalët: “Nga ju filloi shumëçka për mua, dhe këtë nuk do ta harroj kurrë.”
Kështu, pas një historie të gjatë të përbashkët në skenë, Lule Mustafa nis nga viti i ardhshëm një fazë të re artistike, ndërsa trashëgimia e krijuar për 19 vite me Motrat Mustafa mbetet pjesë e rrugëtimit të saj.
/Prive By Liberta Spahiu


