Nëse keni hapur aplikacionin TikTok ditët e fundit, është pothuajse e pamundur të mos ju ketë dalë në For You ndonjë video rreth njërës prej temave më të nxehta të momentit për të gjithë adhuruesit e modës në vendin tonë.
Lajmi po bën xhiron e rrjetit dhe po diskutohet kudo: platforma gjigante e modës SHEIN ka nisur të mundësojë dërgesat direkte në Kosovë!
Për vite me radhë, blerja në këtë platformë ka qenë një sfidë e vërtetë logjistike për vajzat dhe djemtë tanë. Formula e vetme ishte e njohur për të gjithë: gjeje ndonjë të afërm në Gjermani, Zvicër apo Austri, i dërgoje linqet e rrobave, e më pas prisje javë të tëra derisa dikush të vinte për pushime apo t’i dërgonte përmes autobusëve e postave private. Por kjo mënyrë e lodhshme duket se po i takon të kaluarës.
Mijëra përdorues në TikTok po ndajnë përvojat e tyre, ku shumë vajza e djem konfirmojnë se tashmë kanë kryer pagesat me sukses, kanë vendosur adresën e Kosovës dhe porositë u kanë arritur direkt te dera e shtëpisë përmes shërbimeve postare lokale.
Sipas përvojave të para të blerësve, sistemi po funksionon me rregullat standarde të transportit ndërkombëtar: paguhet vetëm kostoja e transportit pa pasur nevojë për taksa shtesë apo procedura doganore, për sa kohë që vlera e porosisë qëndron brenda limiteve të lejuara (siç është me blerjet mbi 30 euro).
Megjithatë, si çdo risi teknike që implementohet për herë të parë, jo gjithçka po shkon me një klikim për të gjithë. Ndërsa një pjesë e madhe po tregojnë se porosia u ka ecur pa asnjë pengesë, të tjerë po raportojnë se po hasin në vështirësi gjatë porosisë. Ekspertët e blerjeve online sqarojnë se kjo ndodh për shkak të përditësimeve graduale të sistemit të SHEIN për rajonin tonë.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: ky është një nga hapat më të mirëseardhur për të gjithë adhuruesit e stilit që duan të ndjekin trendët e fundit shpejt, lehtë dhe pa e bezdisur familjen në diasporë! /Prive Bruto
@shqipet.e.gurbetitPerhajr


