Sot është dita e madhe për adhuruesit e kinematografisë botërore, pasi filmi i shumëpritur i regjisorit Christopher Nolan, “The Odyssey”, lansohet zyrtarisht në kinema.
Krahas kastit të jashtëzakonshëm me yje si Matt Damon (në rolin e Odiseut), Zendaya e Tom Holland, ky projekt madhor sjell një arritje të jashtëzakonshme për popullin tonë, pasi trashëgimia muzikore shqiptare do të dëgjohet në mbarë botën si pjesë kryesore e kolonës zanore.
Kjo pasuri unike muzikore ka marrë vëmendjen e kompozitorit gjenial të vlerësuar me çmimin Oscar, Ludwig Göransson. Gjatë kërkimit për tinguj autentikë dhe të lashtë që do të shoqëronin eposin e Homerit, ai udhëtoi personalisht drejt jugut të Shqipërisë për të regjistruar vlerat tona më të çmuara folklorike.
Në një intervistë për New York Magazine, Göransson tregoi se kaloi një javë të plotë në terren duke regjistruar iso-polifoninë labe – një stil unik këndimi i cili është i mbrojtur nga UNESCO si Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Kompozitori u shpreh se kjo traditë muzikore ishte diçka krejtësisht e jashtëzakonshme, të cilën nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë në një film.
Përveç vokalit magjepsës të polifonisë, Göransson u mahnit edhe nga instrumentet tona tradicionale. Ai regjistroi tingujt e fyellit të dyfishtë, një vegël muzikore që barinjtë shqiptarë të jugut e kanë përdorur prej shekujsh, duke i dhënë kolonës zanore të filmit një nuancë të fortë antikiteti dhe origjinaliteti.
Me premierën që po jepet sot në kinematë anembanë globit, ky integrim i trashëgimisë muzikore shqiptare në një nga projektet më prestigjioze të Hollywood-it është një reklamë e jashtëzakonshme për kulturën tonë.
Tingujt dhe meloditë tona shekullore tashmë do të udhëtojnë kudo, duke shoqëruar udhëtimin epik të Odiseut në ekranin e madh nën siglën e Universal Pictures.
View this post on Instagram
Për ata që duan të dinë më shumë rreth ngjarjes, ky film është përshtatja e re kinematografike e poemës epike homerike me të njëjtin titull, një nga shtyllat e letërsisë botërore.
Historia e filmit ndjek rrugëtimin legjendar, të gjatë dhe plot rreziqe të mbretit të Itakës, Odiseut (të luajtur nga Matt Damon). Pas përfundimit të Luftës së Trojës, ku ai luajti një rol kyç në fitoren e grekëve, Odiseu niset për t’u kthyer në shtëpi. Mirëpo, ky rrugëtim i kthimit do të zgjasë plot dhjetë vite të tmerrshme.
Gjatë kësaj odiseje, ai dhe eekuipazhi i tij përballen me zemërimin e perëndive, krijesa mitologjike si Ciklopët, sirenat joshëse dhe magjitë e ndryshme që tentojnë t’i mbajnë larg vendlindjes. Ndërkohë, në Itakë, bashkëshortja e tij besnike, Penelopa (Anne Hathaway), dhe djali i tij, Telemaku (Tom Holland), duhet të përballen me presionin e madh të pretenduesve të fronit që besojnë se Odiseu ka vdekur. Ky është një tregim i fuqishëm mbi mbijetesën, besnikërinë, dashurinë për familjen dhe forcën e mendjes njerëzore. /Prive By Liberta Spahiu


