Një përplasje e ashpër publike ka shpërthyer ditët e fundit mes fermerit Tafë Çeku dhe deputetes e aktores së njohur, Adriana Matoshi.
Gjithçka ka nisur pas debateve dhe përplasjeve publike lidhur me zhvillimet rreth fabrikës së qumështit në Istog, por situata ka degraduar shpejt në akuza të rënda personale dhe familjare.
Fermeri Çeku ka kundërshtuar hapur gjuhën e përdorur nga Matoshi ndaj personave që kanë shprehur mbështetje për fabrikën, duke iu përgjigjur asaj me publikimin e një dokumenti që, sipas tij, lidhet me një rast të raportuar më herët nga Policia e Kosovës.
Përmes këtij dokumenti, Çeku ka pretenduar se vajza e deputetes është zënë me substanca narkotike, duke lëshuar akuza të forta ku shprehej se ai nuk e helmon popullin e tij pasi e ka mbrojtur me gjak bashkë me babanë e vëllezërit, ndërsa i cilësonte ata si të “helmuar familjarisht”.
Vetë deputetja Adriana Matoshi nuk ka heshtur dhe e ka pranuar publikisht se vajza e saj, Kaona, u zu me drogë nga policia, megjithatë ajo u ankua dhe reagoi me revoltë se të tjerët po merren qëllimisht me fëmijë, përkundër faktit që në momentin e ngjarjes ajo ishte në moshë madhore.
Matoshi u shpreh se vetëm njerëzit e sëmurë, të paguar dhe të shitur sulmojnë një fëmijë për një gabim që ka bërë për vete, duke shtuar se vajza e saj mund të dëmtojë vetëm veten, por nuk është si kriminelët që dëmtojnë një popull të tërë.
Kjo situatë e tensionuar ka nxitur edhe reagimin e menjëhershëm të komunitetit të artistëve, ku aktorja Gresa Gashi ka vendosur të thyejë heshtjen dhe t’i dalë publikisht në mbrojtje koleges së saj.
Gashi ka theksuar se, pavarësisht nëse bie apo jo dakord gjithmonë me mendimet e Adrianës, ajo ndjen detyrim t’i dalë në krah në këtë moment, pasi edhe Matoshi e kishte mbështetur kur vetë ajo ishte sulmuar dhe paragjykuar në të kaluarën.
Aktorja u ka bërë thirrje njerëzve që t’i ndalin menjëherë paragjykimet, duke thënë se askush nuk mund ta dijë se çfarë ka kaluar një nënë dhe çfarë ka sakrifikuar për fëmijët e saj.
Ajo kujtoi periudhën kur kanë qenë bashkë nëpër xhirime, duke dëshmuar nga afër sakrificat e mëdha të Adrianës, dhe pikërisht për këtë arsye deklaroi se sot është pranë saj sepse e di shumë mirë se si është të jesh e sulmuar.
Më tej, Gashi ngriti një alarm të madh social lidhur me pasojat e linçimit publik, duke u shprehur se sulmet e tilla mund ta dërgojnë një person drejt depresionit të thellë, i cili më pas mund të sjellë edhe pasoja fatale.
Në mbyllje të reagimit të saj, aktorja bëri thirrje që, përveç saj, të zgjohen edhe kolegë të tjerë të komunitetit artistik për t’i dalë në mbrojtje deputetes, ndërkohë që ky debat mes fermerit Çeku dhe Adriana Matoshit vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes së opinionit publik.
/Prive By Liberta Spahiu
@gresagashiofficial #fyp #foryou #pageforyou ♬ original sound – Gresë Gashi


