Kori Siparantum nga Kosova ka triumfuar në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve në Herceg Novi të Malit të Zi, duke fituar tri çmime. Në kategorinë e koreve të përziera, Siparantumi u rendit i pari me 97 pikë, duke lënë pas dy kore nga Serbia dhe dy nga vendi mikpritës.
Suksesi nuk u ndal te kreu i renditjes. Kori u nderua edhe me çmimin për interpretim të jashtëzakonshëm të një kompozimi bashkëkohor, ndërsa Memli Kelmendi mori çmimin për dirigjentin më premtues. Tri vlerësime në një mbrëmje, që e vendosën përfaqësimin e Kosovës mes fituesve të këtij festivali.
Për këtë arritje ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ndau në Instagram fotografi të korit dhe rezultatet e garës. Në postimin e tij, ai veçoi vendin e parë në kategorinë C2, të arritur në konkurrencë me koret nga Serbia dhe Mali i Zi.
“Mbrëmë, në Park Hall në Herceg Novi, Siparantum Choir doli fitues i trefishtë”, shkroi Kurti.
Kryeministri e cilësoi këtë rezultat si një tjetër sukses të madh për korin dhe për përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit.
“Një mbrëmje e jashtëzakonshme, tri çmime dhe një tjetër sukses i madh për Siparantum Choir, në përfaqësimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Me 97 pikë dhe dy vlerësime të tjera për interpretimin dhe drejtimin artistik, Siparantumi i shton rrugëtimit të tij ndërkombëtar një tjetër arritje, këtë herë nga skena e Herceg Novit. /Prive By LS


