Beatriz Flamini, një sportiste spanjolle e moshës 50-vjeçare, ka bërë të pamundurën realitet duke qëndruar plot 500 ditë e izoluar në një shpellë në Granada. Ajo u fut nëntokë në nëntor të vitit 2021 dhe doli prej andej në prill të vitit 2023, duke thyer kështu rekordin botëror për qëndrimin më të gjatë të një njeriu në izolim në një shpellë.
Shpella ku Beatriz jetoi ndodhej 70 metra nën sipërfaqen e tokës. Gjatë kësaj periudhe, ajo nuk pati asnjë kontakt me njerëz të tjerë dhe asnjë mundësi komunikimi me botën e jashtme, pasi në atë thellësi nuk kishte sinjal telefoni. Megjithatë, ajo monitorohej nga larg nga një ekip shkencëtarësh që studionin efektet e vetmisë ekstreme në trurin dhe trupin e njeriut.
Sfida nuk ishte aspak e lehtë. Përveç errësirës dhe lagështirës, ajo u përball me vështirësi të papritura, si një plagë mizash që e shqetësuan gjatë qëndrimit. Për të mbajtur mendjen aktive, ajo u fokusua te pasionet e saj: shkroi, pikturoi, thuri dhe arriti të lexonte rreth 60 libra gjatë kohës që ishte nën tokë.

Një nga faktet më interesante është se Beatriz e humbi plotësisht ndjesinë e kohës. Që në ditën e 65-të, ajo nuk dinte më se sa kohë kishte kaluar. Kur ekipi shpëtimtar shkoi për ta nxjerrë në sipërfaqe, ajo u habit. “Tashmë? Nuk ka mundësi. Nuk e kam mbaruar ende librin tim,” ishin fjalët e saj të para, duke treguar se sa shumë ishte mësuar me botën e saj të qetë.
Në momentin e daljes, ajo nuk mori asnjë lajm për atë që kishte ndodhur në botë gjatë dy viteve, përfshirë edhe ngjarje të mundshme familjare, siç kishte rënë dakord me ekipin e saj paraprakisht. Ndonëse priste vetëm një dush, ajo u prit nga dhjetëra gazetarë dhe një interes i jashtëzakonshëm global për eksperiencën e saj unike.
Beatriz, e cila është një alpiniste dhe sportiste e disiplinave ekstreme, u shpreh tani se sekreti i mbijetesës ishte marrëdhënia e mirë me veten. Ky eksperiment pritet të ndihmojë shkencën për të kuptuar më mirë izolimin njerëzor dhe se si mendja jonë e percepton kohën kur është e shkëputur nga çdo faktor i jashtëm. /Prive By Liberta Spahiu



