Ekipi i Prive By Liberta Spahiu ishte i pranishëm në ngjarjen masive Balkans Blockchain Summit për të sjellë prapaskenat e një revolucioni të ri digjital që po ndodh pikërisht në kryeqytetin tonë. Në një intervistë ekskluzive, Rachel Conlan, CMO e gjigantit Binance, foli hapur për vizionin e platformës dhe lidhjen e teknologjisë me kulturën pop. Duke u ndalur te bashkëpunimet me yjet botërorë, ajo shpjegoi se këto fushata nuk janë thjesht lëvizje marketingu, por ura lidhëse për masën. “Mendoj se fushatat që ne kemi realizuar, qoftë ajo me CR7, që është ikona më e madhe e sportit në botë… qoftë dhe me The Weeknd… shërbejnë si përkthyes dhe veprojnë si një formë tjetër edukimi për shumë individë në shoqëri”, u shpreh Conlan, duke theksuar se qëllimi është afrimi i njerëzve që ende nuk e kanë eksploruar këtë hapësirë.
Faza e re e platformës numër një në botë po shkon shumë përtej perceptimit tradicional. Rachel sqaroi se ata po kalojnë nga një bursë e thjeshtë tregtimi në një ekosistem gjithëpërfshirës. “Po bëhet vërtet një super-aplikacion financiar, i ngjashëm me atë që ka bërë Alipay në Azi”, deklaroi ajo, duke shtuar se përmes produkteve të reja Binance po rindërton ekosistemin financiar dhe infrastrukturën ashtu siç e njohim. Ajo kërkoi specifikisht që njerëzit të fillojnë ta shohin Binance si një infrastrukturë të mirëfilltë e jo thjesht si një platformë për të blerë asete.
Përtej anës teknike, ajo kishte një kërkesë dhe një mesazh tepër të qartë për çdo të ri kosovar që e sheh veten në industrinë e teknologjisë.
“Mos mendoni vetëm të ndërtoni për Prishtinën, për Kosovën apo për Ballkanin, ndërtoni për gjithë botën”, ishte thirrja e saj e drejtpërdrejtë për rininë. Bukuria e kësaj epoke digjitale, sipas drejtueses, është se inovacioni nuk njeh më kufij gjeografikë. “Nuk keni më nevojë të jeni me bazë në San Francisko, në Nju Jork apo në Londër, apo në Hong Kong për të ndërtuar super-kompaninë e radhës”, theksoi ajo me bindje të plotë. Gjithçka mund të nisë nga Kosova dhe kjo është saktësisht ajo çfarë ajo shpreson të dëshmojë kur të rikthehet sërish pas disa vitesh në Prishtinë. /Prive By Liberta Spahiu

