Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e aktores së njohur amerikane, Hayden Panettiere, ndërsa hetuesit dyshojnë se pilula që ajo mori në orët para vdekjes mund të ketë qenë e përzier me fentanil.
Sipas burimeve të TMZ, të cilat janë të lidhura me rastin dhe kanë dijeni të drejtpërdrejtë për hetimin, Panettiere kishte një person në Los Angeles, të cilit i drejtohej prej kohësh për të siguruar medikamente me recetë në mënyrë të paligjshme.
Mes tyre dyshohet se ishte edhe oksikodoni.
Burimet thonë se aktorja kishte marrë me vete disa prej substancave që kishte blerë gjatë udhëtimit me avion nga Los Angeles drejt Karolinës së Jugut, një ditë para se të ndërronte jetë.
Dyshohet se mëngjesin e ditës së vdekjes, Hayden mori një pilulë oksikodoni, ndërsa autoritetet besojnë se ajo mund të ketë qenë e përzier me fentanil.
Në kuadër të hetimeve, DEA në Los Angeles po përpiqet të zbardhë lidhjen mes aktores dhe personit që dyshohet se i siguronte medikamentet, me synimin për të gjurmuar origjinën e pilulës fatale.
Kur ekipet e emergjencës mbërritën në apartamentin ku Panettiere po qëndronte me të dashurin e saj, Brian Hickerson, ai u dorëzoi atyre një qese me medikamentet që i përkisnin aktores.
Tashmë po shqyrtohet nëse ndonjë prej tyre mund të ketë qenë e përzier me fentanil.
Hickerson kishte tentuar gjithashtu ta shpëtonte Hayden duke i administruar Narcan pasi e gjeti pa ndjenja, përpara mbërritjes së ndihmës së shpejtë.
Megjithatë, përpjekja nuk pati sukses.
Hetimi po zhvillohet nga autoritetet e Karolinës së Jugut, ndërsa në të janë përfshirë edhe zyrat e DEA-s në Los Angeles dhe Karolinën e Jugut.
Autoritetet po punojnë për të përcaktuar se nga ka ardhur pilula fatale dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes së aktores.
/Prive By Liberta Spahiu


