Dafina Zeqiri ka reaguar pas rastit tragjik të Arlinda Zekajt, duke ngritur shqetësimin për përvojat e grave që, sipas saj, kanë kërkuar ndihmë nga institucionet për shkak të dhunës, por nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artistja ka treguar se pas reagimit të saj për rastin e Arlindës, ka pranuar mesazhe të shumta nga gra që i kanë ndarë përvojat e tyre dhe dokumente që lidhen me rastet e raportuara.
“Pas postimit tim për situatën e Arlindës, më kanë shkruar shumë gra në DM, duke më dërguar dokumente ku tregojnë se kanë shkuar e ardhur disa herë në Policinë e Kosovës për dhunë, abuzim, dhunë fizike nga partneri – dhe nuk kanë marrë asnjë ndihmë”, ka shkruar Dafina.
Këngëtarja e ka cilësuar këtë situatë si të papranueshme, duke kërkuar që rastet e dhunës të trajtohen me seriozitet dhe që institucionet përgjegjëse të mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si reagojnë ndaj denoncimeve.
“Kjo është e papranueshme. Duhet të bëhet diçka serioze. Me të vërtetë. Të gjithë ata që punojnë në shtet, përfshirë edhe policët, duhet të vendosen në vendin e të tjerëve”, ka deklaruar ajo.
Dafina ka theksuar gjithashtu se gratë duhet të ndihen të sigurta dhe se Policia duhet t’i trajtojë me prioritet rastet e dhunës, duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për mbrojtjen e viktimave dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, në përputhje me ligjin.
Në reagimin e saj, artistja ka kundërshtuar edhe mënyrën se si dhuna në familje shpeshherë minimizohet ose trajtohet si çështje private.
“Kjo duhet të merret seriozisht. Nuk është ‘çështje familjare’, nuk është ‘punë private’, është dhunë. Është krim”, ka shkruar këngëtarja.
Në fund, Dafina ka folur edhe për rëndësinë e edukimit të djemve që në moshë të hershme, duke e lidhur këtë me përgjegjësinë për të ndërtuar një shoqëri ku gratë respektohen dhe trajtohen me dinjitet.
“Si nënë e një djali dhe së shpejti e dy djemve, është misioni im, siç është për çdo nënë, t’i mësojmë djemtë tanë si të respektojnë gratë. Të dinë si të sillen, si të vlerësojnë, si të duan dhe si të mbrojnë”, ka përfunduar ajo.
/Prive By LS



