Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vizituar familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimeve, presidentja shprehu solidaritetin me familjet, duke theksuar se kjo është një periudhë e vështirë si për to, ashtu edhe për Republikën e Kosovës.
Shiroka Pula ritheksoi se e drejta e apelit është pjesë e procesit gjyqësor dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin ish-krerët e UÇK-së në këtë fazë, brenda përgjegjësive dhe mundësive institucionale.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e mbrojtjes së së vërtetës historike dhe të dinjitetit të atyre që kontribuuan për lirinë e vendit. Sipas presidentes, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u zhvillua përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.
Gjatë vizitave, presidentja i informoi familjet se, në përputhje me afatet ligjore, do të veprojë lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Familjet nuk janë vetëm në këtë rrugëtim dhe se Presidenca e Republikës së Kosovës do të mbetet e hapur për to, duke vepruar brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore në mbështetje të përpjekjeve për drejtësi”, thuhet në deklaratën e presidentes.
Vizitat vijnë në një periudhë të rëndësishme për ish-krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre, pas zhvillimeve në procesin gjyqësor në Hagë. /Prive By LS


