Temperaturat e larta gjatë netëve të verës bëjnë që shumë njerëz të heqin dorë edhe nga pizhamet, duke menduar se gjumi lakuriq është mënyra më e mirë për t’u freskuar.
Por një ekspert i gjumit thotë se kjo mund të mos funksionojë gjithmonë ashtu siç mendojmë.
Julius Patrick, fiziolog i gjumit në Cromwell Hospital të Bupa-s, ka shpjeguar se gjatë gjumit lakuriq djersa mund të grumbullohet në lëkurë dhe të qëndrojë aty. Për këtë arsye, ai sugjeron që gjatë netëve shumë të nxehta të përdoren rroba shumë të lehta për gjumë, të cilat mund ta thithin djersën dhe të ndihmojnë trupin të ndihet më freskët.
Edhe çarçafët e hollë prej pambuku mund të jenë një zgjedhje e mirë gjatë vapës, pikërisht për shkak të aftësisë së tyre për të thithur lagështinë. Eksperti kujton gjithashtu se temperatura e trupit bie natyrshëm gjatë natës, ndaj nuk është gjithmonë e nevojshme të hiqni çdo mbulesë nga shtrati.
Një tjetër këshillë është që perdet ose roletat të mbahen të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës. Në mbrëmje, nëse jashtë është më freskët se brenda, hapja e dritareve mund të ndihmojë në uljen e temperaturës së dhomës.
Patrick sugjeron gjithashtu një dush rreth gjysmë ore para gjumit. Ai thotë se nuk është e domosdoshme që uji të jetë akull i ftohtë; për disa njerëz edhe një dush apo banjë më e ngrohtë mund të ndihmojë procesin natyral të uljes së temperaturës së trupit para gjumit.
Megjithatë, mënyra më e rehatshme për të fjetur gjatë vapës mund të ndryshojë nga një person te tjetri. Këshilla e ekspertit lidhet kryesisht me njerëzit që djersiten gjatë natës dhe me përdorimin e materialeve të lehta e të ajrosshme.
/Prive By Liberta Spahiu.


