Ylli me famë botërore, Dua Lipa, ka zbarkuar në Prishtinë për edicionin e 7-të të festivalit gjigant “Sunny Hill Festival”, i cili ka hapur dyert ditën e sotme dhe do të vazhdojë gjatë datave 1 dhe 2 gusht.
Përmes një postimi tejet entuziast në rrjetet sociale, këngëtarja shqiptare ka ndarë me ndjekësit e saj lumturinë për rikthimin në vendlindje.
Dua ka zbuluar se mbrëmjen e djeshme ka vizituar nga afër hapësirën ku do të mbahet festivali, për t’u siguruar që çdo gjë është gati përpara nisjes zyrtare. Ajo u shpreh mjaft krenare për punën e palodhshme të familjes së saj dhe të gjithë ekipit realizues. Përveç përgatitjeve të festivalit, artistja ndau edhe një lajm personal mjaft të veçantë, duke zbuluar se dita e djeshme kishte qenë akoma më magjike pasi është bërë kumbarë.
Pjesë e veçantë e fotove të shpërndara nga artistja ishte edhe tavolina me ushqime tradicionale shqiptare. Dua ka treguar se po shijon mikpritjen kosovare përmes gatimeve si flia, pitja, specat e mbushur, ajvari dhe sallata e freskët, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e saj të fortë me rrënjët dhe traditën.
Me mesazhin e ngrohtë “Shihemi sonte, Prishtinë!”, Dua ka ngritur në nivelin maksimal atmosferën dhe pritshmëritë e mijëra adhuruesve që pritet të mbushin festivalin gjatë tri netëve të ardhshme. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


